Kërcënohet prokurori Rasim Maloku

15:08 | 19 Shkurt 2020

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, është njoftuar se prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku, nëpërmjet një mesazhi telefonik ka pranuar sërish kërcënime me likuidim fizik të familjarëve të tij.

Këto kërcënime serioze ndaj prokurorit Maloku, vijnë si rrjedhojë e veprimeve të ndërmarra nga ai gjatë ushtrimit të detyrave si prokuror, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeprokurorit.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin se kërcënimet ndaj prokurorit Maloku, janë duke u trajtuar seriozisht nga organet kompetente dhe me nivelin e duhur të urgjencës, në mënyrë që kërcënuesit të dalin sa më parë para drejtësisë.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit qëndron fuqishëm afër prokurorit Maloku, duke ia ofruar mbështetjen e plotë për punën dhe përkushtimin e tij, në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor në hetimin dhe ndjekjen e kryesve të veprave penale.

Po ashtu, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, siguron opinionin publik se kërcënimet ndaj prokurorëve nuk do t’i zmbrapsin asnjë hap dhe në asnjë mënyrë synimet dhe përpjekjet tona të vazhdueshme për forcimin e shtetit ligjor./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara