Keqmenaxhimi dyvjeçar i tenderit 1.7 milionësh rrezikon mijëra banorë të Prishtinës

17:41 | 6 Janar 2019

Për më shumë se një vit e gjysmë Komuna e Prishtinës ka shfajësuar vetën nga mos realizimi i projektit të ndërtimit të kolektorit për largimin e ujit atmosferik dhe kanalizimit fekale në lagjen “Kalabria”. Fajësonte problemet pronësore për ngecjen e projektit prej gati 1.7 milionë eurosh.

Transparenca gjatë realizmit të këtij projekti ka munguar. Komuna e Prishtinës nuk ka pranuar të japë përgjigje se pse ka nisur ndërtimin e kolektorit, pa e zgjidhur çështjen e shpronësimit. Kanë pohuar se tash problemet janë zgjidhur dhe janë shfaqur të reja. Kanë fajësuar kompanitë për shkeljen e kontratës. Nuk kanë treguar se cilat janë shkeljet e supozuara.
Më shumë se 300 shtëpi me mijëra banore përballen çdo ditë me erën e pakëndshme që kundërmon nga ujërat e zeza dhe pasiguria që u shkaktohet nga rrjedha e lumit “Mat” në lagjen Kalabria.

Kur temperaturat janë të larta banorët nuk mund të kalojnë rrugës afër lumit, për shkak të kundërmimit të ujërave të zeza. Ndërkaq kur fillojnë shirat, lumi “Mat” që shërben si mbledhës i ujërave të zeza, shkakton probleme në rrugë, shkruan Insajderi.

Mbi këtë lum prej më shumë se 30 vjetësh është ndërtuar një urë e vogël. Tash ajo është gati krejt e pakalueshme. Ujërat e zeza të kanalizimeve kalojnë mbi të. Banorët nuk mund të kalojnë me veturë e as në këmbë mbi këtë urë.

Banorë e lagjes ”Kalabria” , kanë kërkuar që komuna të shpallë gjendje të jashtëzakonshme edhe në këtë pjesë, gjatë muajit tetor kur shumë lagje të Prishtinës ishin paralizuar për shkak të shirave. Autoritetet komunale shpërfillën kërkesën e tyre.
Sadik Mehmeti, banor në këtë lagje tha se veturat detyrohen të kthehen prapa për shkak se ura është e pakalueshme.

“Ne këtu jemi lagje e madhe, askush më nuk ka ardhë me u interesu. Leje që nuk po mundemi me kalu me vetura por edhe era, nuk po mundemi me qëndru brenda prej saj”, ka thënë Mehmeti.

Banori tjetër i kësaj lagjeje Feti Buzoku, tregon për vështirësitë që kanë banorët nga mos ndërtimi i kolektorit.

“Jeta është e vështirë, pasi këtu duhet të kalojnë gratë me fëmijë, rruga po bëhet vështirë e kalueshme, nxënësit duhet të shkojnë në shkollë për këtë rrugë këtu”, tha ai.

Por, çfarë masa kanë ndërmarrë deri më tash autoritetet komunale për të zgjidhur këtë hall të banorëve të lagjes “Kalabria”?

Përpjekjet janë të zbehta. Kanë ngecur punimet e nisura në prill të vitit 2017. Gjatë kësaj kohe, një vjet e shtatë muaj ngecje, autoritetet komunale kanë shfajësuar vetën duke u ankuar për problemet pronësore, në këtë pjesë. Por, tash në nëntor kanë pohuar se këto probleme janë përfunduar. Mirëpo, sërish nuk pritet që projekti të përfundoj.

Tash, autoritetet komunale fajësojnë konzorciumin e kompanive fituese të tenderit për mos kryerje të punëve. Nuk pranojnë të bëjnë publike se cilat janë shkeljet e supozuara nga ana e kompanive që e kanë fituar tenderin për ndërtimin e kolektorit në lagjen Kalabria.
Keqmenaxhimi- Shpallet fituesi i tenderit, pa u zgjidhur çështjet pronësore
Komuna e Prishtinës kishte bërë një projekt për ndërtimin e një kolektori për largimin e ujit atmosferik dhe kanalizimit fekal, që edhe sot vazhdon të jetë problem për banorët në këtë lagje.

Në dhjetor të vitit 2016, komuna kishte nënshkruar kontratë me konsorciumin e kompanive Jehona” SHPK, NN “Beni Construction” dhe NNP “Arhiko.ing”, për ndërtimin e kolektorit. Parashihej që projekti të përfshinte një sipërfaqe prej 855 metra, të lagjes Kalabria. Ato kishin paraqitur planin dinamik të punimeve prej 180 ditë pune.

Projekti kapte vlerën prej 1 milion e 696 mijë euro, shkruan Insajderi.

Zyrtarisht punimet për ndërtimin e kolektorit nisën në prill të vitit të kaluar. Ato do të duhej të kryheshin brenda 180 ditësh, sipas planit dinamik të punimeve që e ofruan kompanitë fituese të tenderit.

Mirëpo kjo nuk u bë. Ndonëse kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë prej ditës kur nisi puna.

Komunës së Prishtinës, i kanë dalë probleme pronësore. Ajo kishte nisur këtë projekt pa e përfunduar çështjen e shpronësimit të tokave të banorëve të kësaj lagjeje që prekeshin nga ndërtimi i kolektorit.

Komuna nuk është treguar transparente lidhur me këtë projekt. Nuk ka treguar se pse e nisi këtë tender pa i zgjidhur problemet pronësore, kur është pyetur nga Gazeta Insajderi. Ajo nuk ka dhënë informata as për tokën prej 30 ari dhe familjen që ka kundërshtuar të lëshoj tokën.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me konsorciumin e kompanive fituese të tenderit. Ata zvarritjen e kryerjes së punimeve e lidhin vetëm me problemet pronësore.

“Në lidhje me pyetjen tuaj për projektin e komunës së Prishtinës për ndërtimin e kolektorit në lagjen Kalabria, ju njoftojmë se punimet në këtë projekt kanë ngecur për shkak të problemeve pronësore përgjatë vijës ku do të ndërtohet kolektori”, thuhet në përgjigje e zyrtarëve të kompanisë “Jehona shpk”.
Ata në përgjigjen e dërguar Insajderit me 1 nëntor, thonë se janë në kontakt me zyrtarë të komunës së Prishtinës afër një zgjidhjeje të kësaj problematike, dhe pas kësaj do të vazhdojnë me planin dinamik të punimeve.

”Gjithashtu ju njoftojmë se në kontaktet që ne kemi me zyrtarët e komunës se Prishtinës na kanë informuar se janë afër zgjidhjes së këtyre probleme (shpronësimit) dhe rrjedhimisht, do të krijohen kushtet për fillimin e punimeve të cilat pastaj do të zhvillohen sipas planit dinamik të punimeve”, thuhet në përgjigjen e kompanisë “Jehona”.

Komuna e Prishtinës ndryshon versionin për arsyet e mos realizimit të projektit të madh

Sipas zyrtares për informim në Komunën e Prishtinës, Miranda Mullafazliu në pjesën më të madhe të trasës së paraparë janë identifikuar probleme pronësore. Për këtë arsye fillimisht punimet ishin kryer vetëm në njërën hapësirë.

“Punimet kanë vazhduar vetëm në trasën prej 180 m”, tha Mullafazliu.

Mullafazliu në një përgjigje për Insajderin, me 2 nëntor, ka thënë se komuna tashmë ka zgjidhur problemin pronësor. Nuk ka treguar se kur dhe se si është zgjidhur ky problem pronësor.

Megjithatë, punimet sërish kanë ngecur. Komuna e Prishtinës tash e fajëson dikë tjetër për mos realizim të projektit.

Mullafazliu, në përgjigjën dhënë Insajderit, fajtore për mos kryerjen e punimeve ka lënë kompanitë e kontraktuara.

Ajo ka paralajmëruar masa ndëshkimore ndaj kontraktorit. Ka thënë se janë në procedurë të shkëputjes së kontratës.

“Meqenëse kompania e kontraktuar edhe pas zgjedhjes se problemeve pronësore nuk i ka përmbushur kushtet e definuara me kontrate, Komuna e Prishtinës e ka filluar procedurën për ndërprerje të kontratës me këtë kontraktor”, tha Mullafazliu.

Pas kësaj Gazeta Insajderi ka kërkuar edhe një herë sqarime shtesë se cilat kushte nuk i kishin përmbushur kompanitë e kontraktura, mirëpo edhe pse gazeta ka pritur me javë për përgjigje komuna nuk është përgjigjur.

Paralajmërimin e komunës për shkëputjen e kontratës nuk e kanë komentuar as kompanitë e kontraktuar për ndërtimin e kolektorit.

Projekti për ndërtimin e kolektorit në Kalabri do t`i shpëtonte banorët e kësaj lagjeje. Por as sot pas një viti e gjysmë, projekti nuk ka përfunduar.

Kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, ka folur shpesh për ankesat e banorëve dhe vonesat në përfundimin e projektit në një emision televiziv. Ka fajësuar tërë kohën çështjen e shpronësimit dhe asnjëherë nuk ka përmendur probleme me kompanitë fituese të tenderit.

Ahmeti, në një emision në RTV Dukagjini ka thënë se komuna ka pasur problem me një tokë 30 ari, pronë e një familje në këtë lagje. Ka thënë se komuna e Prishtinës nuk ka buxhet për të bërë blerjen e tokës.

“Problemi kryesor është që pronarët nuk kanë pranuar që të bëhet këmbimi. E kemi problematik tokën 30 ari ku kalon kolektori, kur familja në të cilën është, thonë që asaj familje i është marr një tokë dhe asnjëherë nuk i është kompensuar”.

“Ne nuk kemi fonde që të blejmë një tokë 30 ari”, kishte thënë Shpend Ahmeti kryetari i Prishtinës i cili është zgjedhur në mandatin e dytë në nëntor të vitit të kaluar. Komuna e Prishtinës nuk i ka dhënë përgjigje Insajderit se si janë siguruar paratë për të blerë tokën prej 30 ari apo se në çfarë forme është zgjidhur ky problem.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara