Kastrati thotë se FSK-ja e ka detyrë t’i mbrojë kufijtë dhe se mund të ndërhyjë edhe në veri

17:28 | 5 Mars 2019

Në 21 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për herë të parë Forca e Sigurisë së Kosovës ka parakaluar si Ushtri e Kosovës.

Ky mandat që iu dha vitin e kaluar FSK-së, u mirëprit nga të gjithë, përfshirë spektrin politikë, qytetarët e Kosovës, si dhe partnerët strategjik të vendit.

Ish komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati në një intervistë për Telegrafin ka thënë se me formimin e Ushtrisë së Kosovës është kompletuar arkitektura e sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë.

Formimi i ushtrisë së Kosovës është ngjarja më e rëndësishme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Është kompletuar arkitektura e sigurisë dhe mbrojtjes në shtetin tonë, dhe mund të ecim tutje drejt ngritjes së këtyre kapaciteteve ushtarake, që janë shumë të nevojshme për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit për një siguri më të madhe të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati ka theksuar se me formimin e ushtrisë, Kosovës i hapet rruga të anëtarësohet në organizata të ndryshme.

Tani më ne kemi rrugëtimin drejt organizatave qofshin ato rajonale siç është Karta e Adriatikut, dhe shpresoj që edhe Kosova do të jetë anëtare shumë shpejt, si dhe anëtarësimi në NATO dhe organizma të tjerë ndërkombëtar. Ushtria e Kosovës në bazë të ligjeve ka filluar të ecë që t’i përmbush të gjitha kapacitetet drejt një ushtrie moderne, dhe për këtë nevojitet kohë, buxhet dhe angazhim. Për 10 vite ushtria e Kosovës do t’i përmbushë të gjitha kapacitetet. Andaj përderisa nuk i arrin të gjitha këto nuk mund të jetë ushtri operacionale. Për këtë e kemi KFOR-in, NATO-n që i kanë dy detyra, ato të ruajtjes së kufijve të Kosovës si dhe t’i ndihmojë FSK-së t’i ngrisë kapacitetet e saj”, ka theksuar ai.

Ndër të tjera, Kastrati ka përmendur edhe ndërhyrjen e FSK-së në Veri. Ai ka thënë se nëse vendit i rrezikohen kufijtë, ushtria e ka detyrë të ndërhyjë.

Me ligjet që janë miratuar në Kuvend, e që i hapin rrugë shndërrimit të FSK-së në ushtri, kësaj organizate nuk mund askush t’ia ndalojë që të veprojë në gjithë territorin e Kosovës. Ushtria nuk është formuar vetëm për një pjesë të Kosovës, është formuar për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të vendit. Kjo do të thotë se kufijtë aty ku janë, nëse rrezikohen nga ndokush, ushtria do ta ketë të drejtën të veproëj bazuar në kompetencat dhe detyrimet që i ka, që t’i mbrojë kufijtë e Kosovës. Kjo do të thotë se nëse kërkohet nga institucionet e Kosovës, Presidenti, Qeveria, apo Kuvendi, ushtria ka të drejtë të veprojë edhe në veri. Pra detyra numër një që e ka ushtria është mbrojtja e kufijve të Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Kastratit, deklaratat e zyrtarëve të Beogradit lidhur me atë që FSK-ja nuk ka të drejtë të ndërhyjë në veri, nuk janë të drejta.

Beogradi nuk mund të deklarojë për shtetin e Kosovës. Ne jemi shtet sovran dhe të gjitha veprimet për shtetin e Kosovës i marrin institucionet tona. Ushtria e Kosovës nuk është e formuar që t’i sulmojë qytetarët e saj, por detyrimi dy që del nga ligji është mbrojtja e jetëve dhe pronave të qytetarëve të Kosovës. Edhe qytetarët e Kosovës që jetojnë në veri, qofshin serbë apo komunitete tjera, janë qytetarë të Kosovës dhe ushtria e ka për detyrë t’i mbrojë ata”, ka deklaruar ai.

Lajmet më të lexuara