‘Ka pasur prishje të radarit, por nuk është rrezikuar siguria kombëtare’

17:11 | 16 Maj 2018

Mbetet shqetësuese shtrenjtimi i biletave të udhëtimit, siguria dhe shërbimet në aviacionin civil. Kështu është vlerësuar gjatë shqyrtimit të raportit të auditorit për Autoritetin e Aviacionit Civil në komisionin për Zhvillim Ekonomik.

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Driton Gjonbalaj, duke raportuar para deputetëve, pranoi se çmimet dhe mjegulla në Aeroportin e Prishtinës janë probleme të shfaqura, por për mjegullën shumë shpejt do të ketë zgjidhje. Ai beson se me liberalizimin e vizave do të ulen edhe çmimet e biletave.

Ai tha se për fat të keq, anulime dhe vonesa të fluturimeve ka në çdo vend, por mënyra e parandalimit është në rregullore të Ministrisë së Infrastrukturës, ku nëse ka vonesë mbi tri orë, duhet të kompensohet udhëtari prej 250 deri 600 euro.

Drejtori i AAC-së ka garantuar se siguria në Republikën e Kosovës nuk është cenuar asnjë herë deri më tash në fushën e aviacionit, edhe pse ai pranoi se ka pasur prishje të radarit në vitin 2016 dhe 2017 në Agjencinë për Navigimin e Shërbimeve Ajrore.

Memli Krasniqi, anëtar i Komisionit, ka thënë se si është e mundur që me licencë të kompanisë ajrore “Adria Airways” operon një aeroplan i një kompanie tjetër nga Kroacia, e cila nuk ofron kushte dhe siguri për udhëtarët. Ai tregoi një përvojë të tij gjatë një udhëtimi, që nuk i ka lënë përshtypje të mirë.

Vërejtje për këtë kompani ka dhënë edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se nuk është serioze me udhëtarët dhe kërkoi përgjegjësi për sigurinë e udhëtarëve në fushën e aviacionit civil për persona të armatosur siç ka ndodhur me një test ditë më parë.

Ndërsa, anëtari tjetër Gani Dreshaj ka ngritur çështjen e çmimeve të shtrenjta të parkingut në aeroportin ‘Adem Jashari’, si dhe për pritjet e gjata në sportel.

Po ashtu në këtë Komision ka raportuar edhe kryesuesi i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, i cili tha se ky komision ka hetuar 13 tregje, atë të naftës, sigurimeve, telekomunikacionit, tregun farmaceutik etj.

Ndërsa, deputetja Hikmete Bajrami ka thënë se ekziston tregu me monopol, siç është rasti me homologimin e automjeteve.

Prestreshi tha se kanë reaguar ndaj një udhëzimi administrativ për shtrembërimin e konkurrencës në tregun e homologimit. Ai tha se ka mbetur që në këtë javë të ulen së bashku me drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës për rregullimin e këtij udhëzimi administrativ për fiksimin e çmimit që janë të ndaluara në bazë të ligjit të konkurrencës.

Komisioni ka shqyrtuar dhe miratuar pakon legjislative për ndryshimin dhe plotësimin e projektligjeve në fushëveprimin e Ministrisë së infrastrukturës, me qëllim të harmonizimit me Ligjin për Kundërvajtje.

Zëvendësministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota, tha se ligji për patentë-shofer, ai për trafikun rrugor, hekurudhat, rrugët është mirë të harmonizohen nenet dhe se ka nevojë për ndryshime, në mënyrë që të bëhen funksionale.

Shpërndaje në rrjete sociale