Jahjaga shprehet e nderuar që mirëpriti ish-Presidentin Clinton

13:26 | 11 Qershor 2019

Jahjaga u shpreh se lidershipi i Presidentit Clinton ndryshoi kursin e historisë së Kosovës Ish-presidenti amerikan, Bill Clintion arriti në Kosovë disa minuta më herët. Ai në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” u prit nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ish-presidentja, Atifete Jahjaga.

Me këtë rast, Jahjaga u shpreh se ishte nder dhe privilegj i madh ta mirëpriste Bill Klintonin në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike.

“Në kohën më të errët të historisë moderne të vendit tonë, vendosmëria dhe guximi i Presidentit Klinton ishin vendimtare për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë një populli të tërë. Vendimi i Presidentit Klinton për të mbështetur fushatën e NATO-së në dhënien fund luftës në Kosovë ndaloi një katastrofë njerëzore që po merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha në Ballkan”, shkroi Jahjaga në një postim në facebook.

Sipas Jahjagës, lidershipi i Presidentit Clinton ndryshoi kursin e historisë së Kosovës dhe u bë garantues për rivendosjen paqes dhe të stablitetit në të gjithë rajonin.

“Mbështetja a palëkundur e tij për Kosovën dhe popullin e saj është symbol i miqësisë dhe aleancës së fuqishme të Shteteve të Bashkuara me Kosovën! Përjetësisht mirënjohës!”, shkroi më tutje Jahjaga në facebook.

Ish-presidenti amerikan, Bill Clintion është ftuar që të marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe çlirimin e vendit nga forcat pushtuese serbe. Bill Clinton në vitin 1999 ka qenë president i SHBA-së dhe ka qenë njëri ndër personat vendimtarë për intervenimin e NATO-s në Kosovë. Në shënimin e 20 vjetorit të çlirimit në Kosovë do të qëndrojë edhe Madeleine Albright, e cila në vitin 1999 ka qenë sekretare e shtetit amerikan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara