Ja kur do të votoj KGJK për kryetarët e Apelit dhe të Supremes

14:40 | 19 Korrik 2017

 

Këshilli Gjyqësor i Kosovës shumë shpejt do të mblidhet për të votuar për kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës dhe kryetarin e Gjykatës së Apelit.

Votimi i KGJK-së për krerët e këtyre dy gjykatave vjen pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të shpallur të pavlefshme dy vendimet e këshillit për zgjedhjen e Enver Pecit në krye të Supremes dhe Hasan Shalës në krye të Apelit.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi i ka thënë “Arbresh. Info” se  shumë shpejt anëtarët e KGJK-së do të mblidhen për të votuar kryetarët e Gjykatës Supreme dhe të Apelit. Idrizi thotë se ndryshimi i rregullores është duke u bërë në përputhje me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, dhe si të përfundon kjo çështje do të bëhet votimi.

“Po besoj që shpejt do të votohet, por fillimisht rregulloren duhet me  ndryshe në pajtim me sugjerimet që i ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Ndryshimi  i kësaj rregulloreje ende nuk është bërë, pasi kemi pritur vendimin e kushtetueses edhe për Gjykatën e Apelit,  që me bë për të dyja”, tha Idrizi për “Arbresh.info”.

Kreu  i KGJK-së tha se ndryshe nga hera e kaluar kur votimi është bërë ndaras për seciln kandidat, kësaj herë duke përfillur rekomandimin e kushtetueses votimi do të bëhet në të njejtën kohë për të gjithë kandidatët.

“Do të mundohemi shumë shpejt me kry këtë votim,  dhe tash  do të votohet për të gjithë kandidatët në të njëjtën kohë, jo veç e veç siç është bërë herën e kaluar. Ky është rekomandimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha Idrizi.

Ndryshe, Gjykata Kushtetues e Kosovës në muajin qershor pati shpallur të pavlefshëm vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës që kishte zgjedhur Enver Pecin si kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Kushtetuesja  pati urdhëruar Këshillin Gjyqësor të mbajë një proces të ri të përzgjedhjes.

Në vendimin e kushtetueses thuhet se se në procesin e përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës ka pasur parregullsi, të cilat i kanë cenuar të drejtat  kushtetuese të  gjyqtares së Gjykatës Supreme të Kosovës, Valdete Daka, e cila iu ishte  drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar vendimin e KGjK-së për përzgjedhjen e Pecit në pozitën e kreut të Supremes .

Ndërsa të hënën Gjykata Kushtetuese  e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm edhe  vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për zgjedhjen e Hasan Shalës në krye të Gjykatës së Apelit.

Kushtetuesja ka gjetur se Këshilli Gjyqësor ka shkelur disa nene të Kushtetutës së Kosovës kur ka vendosur që për kryetar të Apelit të votoi Hasan Shalën. Është shkelur neni 24 për barazisë para ligjit, neni 31 i cili përcakton të drejtat për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe neni 108 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Vendimi i Kushtetueses është bërë bazuar në kërkesën e gjyqtares Tonka Berisha si njëra nga kandidatet për të udhëhequr me Gjykatën e Apelit./Arbresh.info/ Gita Lushi

 

 

Lajmet më të lexuara