Ismaili: Demonstrimi i forcës në zyrat e OVL-UÇK’së, i panevojshëm

20:45 | 25 Shtator 2020

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka reaguar pas arrestimeve dhe bastisjeve në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke i komentuar zhvillimet, ai ka thënë se këto pamje e rikthejnë një kohë të padëshiruar të së kaluarës dhe është simbol i represionit.

Ai tutje ka thënë se demonstrimi i sotëm ka qenë tërësisht i panevojshëm.

Kjo është deklarata e plotë e Uran Ismailit:

Asnjë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka luftuar për emrin e tij, por vetëm në emër të idesë së lirisë. Sot, ata po privohen nga liria në mënyrë absurde.

Pamjet e sotme të arrestimeve dhe bastisjeve në Organizatën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për fat të keq, kthejnë prapa kujtesën e kohëve më të padëshiruara.

Vrazhdësia e shfaqjes së njësive të armatosura është simbol i represionit. E në Kosovë, represioni ringjall vuajtjen dhe traumën e rëndë të së kaluarës që ka përjetuar populli i Kosovës, secila familje, secili qytetar.

Demonstrimi i sotëm ka qenë tërësisht i panevojshëm.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pastër dhe luftë mbrojtëse.

Secili pjesëtar i UÇK-së, që është ftuar nga drejtësia ndërkombëtare dhe vendore, për 21 vjet, është përgjigjur me korrektësinë absolute. Kjo gatishmëri ekziston edhe sot.

Nuk ka nevojë për demonstrim të forcës. Nuk ka nevojë të provokohet nga askush dhe për asnjë qëllim kjo traditë e bashkëpunimit, e cila duhet të mbetet gjithnjë e tillë. Kosova ka qenë dhe mbetet shembull i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare, dhe ky është një fakt i njohur botërisht.

Qeveria dhe institucionet përgjegjëse duhet ta njoftojnë opinionin publik për këto zhvillime shqetësuese. Qytetarët kanë nevojë për qartësi.

Pasiguria e krijuar te qytetarët nga skenat e sotme është evidente. Por, në këtë kohë të sfidave të mëdha, qetësia është e domosdoshme për vendin tonë, Kosovën.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara