Isa Mustafa do të kandidojë për kryetar të LDK-së

13:33 | 15 Prill 2019

Lidhja Demokratike e Kosovës me gjasë nuk do të ketë asnjë ndryshim në kreun e saj. Isa Mustafa, kryetar aktual i saj, ka ndarë mendjen që edhe një mandat ta udhëheq LDK-në.

Kjo gjë duket se ka pajtimin edhe të disa pretendentëve tjerë për ta udhëhequr partinë, Lutfi Haziri, Agim Veliu por edhe të atyre që veç se ishin tërhequr më herët nga dëshira për karrigen e kryetarit.

Por, nuk dihet nëse edhe Vjosa Osmani është pajtuar me këtë gjë.

Një zyrtar i lartë i LDK-së i ka thënë Gazetën Online “Reporteri.net”, se Mustafa e ka bërë këtë hap me arsyetimin për ta ruajtur konsensusin në parti. Po ashtu ky zyrtar ka thënë se ka mbetur që në vazhdim të ketë një marrëveshje sa i përket nënkryetarëve dhe pretendentit nga LDK-ja për kryeministër kurdo që mbahen zgjedhjet parlamentare.

“Është pak a shumë ajo që kishte kërkuar Lutfi Haziri në fillim të procesit, një marrëveshje mes njerëzve kryesor për të ndarë pozitat”, ka thënë ai.

“Është e ditur nëpër struktura se Isa Mustafa do të jetë kandidat për kryetar dhe nuk ka shumë kundërshtime”, ka thënë ky zyrtar për Reporteri.net.

Deri më tani, dy figurat që dukeshin në publik se do të kenë luftën më të ashpër për kryetar të LDK-së janë Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani.

Kryetari i Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri tha ditë më parë se LDK-në duhet ta marr një ekip i cili do ta drejtojë partinë në dhjetë vitet e ardhshme dhe ta sjellë atë në pushtet pas 12 viteve.

“Ekipi a i ka 25 veta si kryesi apo 100 veta si Këshill i Përgjithshëm, apo ndoshta edhe 400 veta si Kuvend, kjo është çështje që duhet të diskutohet”, pati thënë ai.

Nënkryetari i LDK-së ka thënë se ai do të punojë deri në momentin e fundit para mbajtjes së zgjedhjeve në LDK, për një marrëveshje politike.

“Në marrëveshje dua të trajtohen të gjithë të barabartë. A janë 15, 20 apo 30 veta të gjithë duhet trajtuar barabartë. Nuk e favorizoj vetëm meritokracinë, sepse nëse flitet për meritoraci janë disa emra që duhet favorizuar dhe disa tjerë përjashtuar. Mendoj se nëse bëhet kusht meritokracia LDK do të dëmtohet”, kishte deklaruar kryetari i Gjilanit.

Tutje, Haziri kishte theksuar se nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje politike për të drejtuar LDK-në, ai do ta shpallë kandidaturën për kryetar të LDK-së.

Vjosa Osmani ndërkaq kishte thënë se ajo do të veprojë bazuar në atë çfarë kërkon anëtarësia dhe delegatet e Kuvendit. Nëse ata e duan për kryetar, atëherë ajo thotë se është e gatshme të kandidojë.

Osmani, në një intervistë televizive, kishte thënë, po ashtu, se nëse ka tendenca për të pamundësuar kandidimin e saj apo të dikujt tjetër, atëherë kjo do të nënkuptonte përjashtim nga partia.

Gatishmëri për t’i hyrë garës për kryetar të LDK-së ka treguar edhe ish-kryetari i saj, Fatmir Sejdiu.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara