Investime mbi 10 milionë euro në komunat veriore

10:07 | 30 Janar 2019

Bordi menaxhues i fondit zhvillimor për komunat në veri të vendit nuk është takuar tash e një vit. Ministria e Financave bën të ditur se për projektet në komunat veriore, janë shpërndarë mbi 10 milionë euro, kurse kanë mbetur 3 milionë euro të pashpenzuara.

Lista e projekteve të aprovuara 2015-2018 është publike nga zyra e BE-së në Kosovë, por askush nuk është përgjigjur pse projektet nuk u realizuan.

Një pjesë e projekteve të aprovuara nga fondi zhvillimor për komunat veriore nuk është realizuar, pavarësisht që mjetet për to janë ndarë. Kjo mund të verifikohet fare lehtë, p.sh. te Liqeni i Ujmanit mungon qendra për sporte detare dhe ujore.

Përveç kësaj, bordi menaxhues i Fondit zhvillimor, pjesë e të cilit janë shefja e zyrës së BE- së, Natali Apostolova, ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe Danijela Zubac në emër të komunitetit serb, nuk janë takuar tash e një vit. Ministria e Financave nuk është deklaruar rreth kësaj çështjeje, por ka dhënë disa detaje për mjetet financiare që janë shpenzuar. Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, në një përgjigjeje elektronike dhënë Radio Kosovës thotë se deri tani janë aprovuar 29 projekte.

“Totali i mjeteve të transferuara nga viti 2013 deri sot nga llogaria e Buxhetit të Kosovës, në llogarinë për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit është 15,527,608.93 euro. Nga kjo shumë janë ndarë për projekte 10,991,600 euro, ndërsa janë shpenzuar deri më tani 7,949,270, kurse të pa shpenzuara janë edhe 3,042,331 euro. Ndërsa deri më tani janë aprovuar gjithsej 29 projekte”.

Lista e 29 projekteve të aprovuara për komunat veriore është bërë publike nga zyra e BE-së në Kosovë, por ata nuk kanë dhënë detaje se cilat projekte u realizuan në tërësi. Ndryshe , Zyra e Auditorit të Përgjithshëm e kishte cilësuar shkelje e ligjit të buxhetit të Kosovës për vitin 2016-të, keqpërdorimin e 400 mijë eurove nga ish kryetari i komunës veriore, Goran Rakiq. Ndonëse, Rakiq dhe kryetarët e komunave të tjera veriore janë dorëhequr tash e dy muaj, ata janë kritikuar në vazhdimësi nga vetë komuniteti serb, duke thënë se punojnë për interesin e tyre dhe jo të qytetarëve.

“Ata marrin pjesë në jetën shoqërore në Kosovë vetëm për bankomat. Ata veprojnë në nivelin më të lartë të papërgjegjshmërisë. Fatkeqësisht, përfaqësuesit serbë në qeveri më shumë janë ilegalisht se legalisht, vetëm kur zihen ngushtë ata lajmërohen”, ka thënë kryetar i Partisë Demokratike Progresiste, Nenad Rashiq.

Nënkryetari i LDK-së, Avdulla Hoti, tha se qeveria nuk po vepron në përputhje me ligjin.
“Qeveria të zbatojë ligjin dhe kushtetutën, ka pasur një rast të tillë, nëse nuk gaboj në vitin 2009, në Komunën e Rahovecit, ku një kryetar komune ka dhënë dorëheqje para mediave. Qeveria e atëhershme i ka zbatuar procedurat ligjore dhe Kushtetutën për të konstatuar gjendjen dhe për të vepruar sipas ligjit. Ajo çfarë është fakt është se Qeveria nuk po vepron,nuk po ndërmerr asnjë veprim. Praktikisht atje (për veriun) nuk ka pushtet komunal, që i bie që çdo cent që shpenzohet atje, çdo shërbim që ofrohet atje nuk është në përputhje me ligjin.”

Qeveria e Kosovës vlerëson se dorëheqjet nuk mund të pranohen, pasi në dorëheqje kryetarët serbë të këtyre komunave i janë referuar Republikës së Kosovës si “Kosova e Metohija”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara