Integrimi i xhihadistëve sfidë për Kosovën

21:03 | 8 Dhjetor 2017

Riintegrimi personave që kanë qenë në luftëra të huaja në Siri dhë në Irak do të mbetët sfidë kryesore për Qeverinë.

Ishte viti 2012 kur të rinjtë nga Kosova u nisen drejtë vatrave të luftës në Siri dhe Irak, për tu rreshtuar përkrah Isis edhe Al Nusra. Lindja e Mesme, ishte vatra e re e jetës së tyre.

Bëhet fjalë për më shumë se 300 qytetarë të Kosovës, që morën këtë rrugë.

Nga viti 2012 e deri më tash Policia e Kosovës inicoi hetime për rreth 400 persona, të cilët dyshoheshin për nxitje për të shkuar në Siri dhe përhapje të ideve të rrezikshme fetare.

Përveç burrave, atje kishin shkuar edhe gra dhe fëmijë. Madje disa prej fëmijëve lindën nën zhurmën e granatave të luftës.

Numri i atyre qe tani janë në këto vatra, është më i vogël, por rreziku i jetës së tyre është i madh.

“Ka shku… me një korrik i ka bo dy vit, u hi për tri, se qysh ka shku nuk e di”, rrëfen nëna, e cila ka kërkuar që të mbetet anonime.

Ajo ka thënë për emisionin “Udhëve”, se vajza e saj e moshës 28 vjeçe ka dasht që të kthehët në Kosovë, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Nuk kuxon ajo prej andej me folë kurgjo, ni çikë e ka tash ka pas me lind qet muaj. Kur ka fol të enjtën i ka bo një muaj ka thënë nuk mujmi me dal mo se e kemi larg, dhe tani ka pas me lind, se a ka lind a jo nuk dimi kurgjo”.

Gjithashtu edhe Naser Deva nga Komuna e Pejës tregon se ai nuk kishte njohuri që djali i tij Atdhe Deva kishte marrë rrugën për në Siri.

“Shteti është dashtë që të tregoj dorën e tij të fortë, që të ndërmarrë masa e mos të lejoj që ata të shkojnë atje”.

Për kthimin e fëmijëve të këtyre prindërve, thirrje ka bërë edhe i pari i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj. Por, paralajmërimi i tij është që ata do të ndjekën nga ligji.

“Përhapja e ideologjios islame nuk është bërë në emër të fesë, nuk është bërë në emër të islamit , dhe nuk e ka për qëllim fenë, por është agjendë e e rrezikshme që e rrezikon kosovën”, ka thënë Haradinaj.

Në vitin 2015, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Ligjin për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit ku neni 3 këtij ligji Pika 3 , parasheh që “ Kushdo që merr pjesë në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizime të grupore apo individualisht , në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, dënohet me burgim prej tre deri në pesëmbëdhjetë vite”.

Për riintegrimin e këtyre personave, Qeveria e Kosovës ka hartuar edhe strategji që do merren me deradikalizimin e tyre si dhe integrimin e këtyre personave në mënyrë profesionale.

“Kosova është e gatshme që ti mirëpres këta persona, ne kemi përgatitë edhe strategjinë…gjithashtu mund të themë se nuk do të ketë tolerancë ndaj atyre që e kanë shkelur ligjin që rekrutuan dhe manipuluan kosovarë në largimin e tyre nga vendi i tyre për te luftuar në lufta të huaja dhe për tu bashkuar në organizata terroriste…Çdo kush që ka rënë ndesh me ligjin do të përballet me ligjin”, ka thënë Lulzim Fushtica, Koordinator kombëtarë i parandalimit të ekstremizmit.

Si shkak i përndjekjes penale të këtyre personave, ata janë mbyllur në rrethet e tyre, duke u munduar të mbrohen nga cdo kontakt me jashtë.

Emisioni “Udhëve”, ka kontaktuar edhe shumë familje të personave që kanë qenë në Siri, në zona të luftës, por ata nuk kanë pranuar që të prononcohen për ne. Përgjigjet e tyre janë : jemi të lodhur nga mediat, policia dhe linçimet që po na bëhen.

“ Po e di që ti i ke të dhënat se neve djali na është vra atje se ky po preket se është nën hetime, se s‘kemi qef me folë se s‘është kanë ky atje (Siri), e tjetër s‘kemi na, se na s‘dojmë as një fjalë ma me e folë për kurxho Ka hupë besimi, s‘ka mo, se 100 sene na u kanë bo e kanë shpik, qata mo kurxho hiq, u kry”, ka thënë një familje kosovare.

Deri më tani në Kosovë janë kthyer 123 persona nga zonat e luftës. Ndërsa, 155 persona janë të burgosur si shkak i përhapjeve të ideve radikale.

Por, shifrat e atyre që ende janë në zona të luftës, janë më të mëdha.

Aktualisht në zonat e konfliktit vazhdojnë të jenë edhe 60 burra nga Kosova, 41 gra si dhe 95 fëmijë, ku 40 prej tyre kanë lindur në zonë të luftës.

Por, në lajmet për Kosovën në mediat botërore gjithmonë përmendet vetëm shifra prej rreth 300 kosovarëve të shkuar në Siri. Në fakt, më shumë se gjysma e tyre atje ishin gra dhe fëmijë, gjë që i bën të padobishëm për luftën.

Shifra e atyre që kishin shkuar për të luftuar në luftëra të huaja llogariten rreth 200 burra, ndërsa tani janë rreth 60 burra që ende gjenden në Siri. Nga numri i përgjithshëm i të shkuarve janë vrarë rreth 71 burra

Por, edhe pse këta persona shihen si të rrezikshëm nga njohës të huaj të çështjeve të sigurisë, për përfaqësuesit e Bashkësis Islame, Kosova tani përballet me një sfidë të re, rikthimin e tyre në vend.

“ Mendoj se pavarësisht faktit që ata persona gjendën atje me apo pa dëshirën e tyre është obligim i qeverisë së Kosovës që në partneritet me vendet mike të bëjmë të pamundurën ti kthejmë sërish në vendet e tyre”, ka thënë Sabri Bajgora, përfaqësues i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).

Integrimi i këtyre personave, do të jetë i vështirë për vendin. Kështu mendojnë njohës të kësaj fushe. Qeveria e Kosovës ka paraparë që për riintegrimin e tyre të angazhojë edhe imamë të vendit, akt ky që është përshëndetur nga Bashkësia Islame.

“Kemi caktuar një grup prej 24 teologëve që të jenë prezete nëpër shtëpitë korrektuese në mënyrë që të mundohen të punojnë me ta dhe ti largojnë nga idet ekstremiste që ata i kanë pasur në të kaluarën”, tha Bajgora.

Por a është efikase një formë e tillë e riintegrimit të këtyre personave.

“Mendoj se nuk është e mjaftueshme vetëm imam, që ata të marrin një interpretim të denjë të kuranit, por me ta të merren edhe sociolog edhe psikolog, sepse ata kanë marrë pjesë edhe në luftëra të cilat kanë lanë ndikime”, tha Nyredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë në vend.

Ndërsa Arife Muji nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), mendon se një formë e tillë do të jetë problematike, pasi ata u radikalizuan po nga imamët.

“Duhet me pas shumë kujdes për personat që do të përfshihen në këtë sistem kemi rastin e imamëve, që kanë përqafu idet radikale, dhe këta persona janë shumë rrezikshëm, por edhe janë të rëndësishëm që të përfshihen sepse imamët munden me e bo sqarimin e fesë ose kuranit në mënyrën e duhur”.

Sibel Halimi, sociologe, thotë se me këta persona kryesisht do të duhet që të merren sociologë dhe psikologë.

Për të, përfshirja e imamëve në riintegrimin e tyre, është pa ndonjë efekt pozitiv.

Ajo thotë se përveç personave që tani janë duke vuajtur dënimet nëpër burgje, parësore është që sociolog e psikolog, të merren edhe me rrethet e këtyre familjeve, dhe shoqërinë në përgjithësi./RTK/

 

UDHËVE

Në emisonin “Udhëve” në RTK, mund ndiqni reportazhën në lidhje me “Riintegrimin dhe Deradikalizimin”, i personave që kanë qenë në Siri.

Posted by RTK on Freitag, 8. Dezember 2017

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara