Inflacioni vjetor në Kosovë arrin në 2.7 për qind

15:00 | 11 Shtator 2019

Inflacioni mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin gusht ishte 0.5 për qind, ndërsa shkalla vjetore e inflacionit arrin në 2.7 për qind.

Kështu thuhet në raportin “Indeksi i Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, gusht 2019”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

“Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është më i lartë për 0.5 për qind në muajin gusht 2019, krahasuar me muajin korrik 2019. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të qumështit, djathit dhe vezëve me 5.4 për qind, kafesë, çajit dhe kakaos me 3.7 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 2.6 për qind dhe shërbimet e transportit me 3.5 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.6 për qind në indeks”, thuhet në raport.

Sipas ASK-së, ngritja u neutralizua nga rënia e çmimeve të perimeve me -2.6 për qind me një ndikim të këtij nëngrupi prej -0.1 për qind në indeks.

“Shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin gusht 2019, me muajin gusht 2018 ishte 2.7 për qind. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të bukës dhe drithërave me 14 për qind, mishit me 4.1 për qind, qumështit, djathit dhe vezëve me 2.8 për qind, vajrat dhe yndyrat me 1.4 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsira me 1.6 për qind, prodhime ushqimore, kripë, erëza, etj. me 3.2 për qind, kafeja, çaji dhe kakao me 9.8 për qind, pijet alkoolike me 1.1 për qind, duhani me 3 për qind, veshjet me 1 për qind, këpucët me 2.7 për qind, qelqi, takëme dhe mjete të kuzhinës me 2.6 për qind, vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht me 1.6 për qind, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake me 3.4 për qind, blerjet e automjeteve me 1.2 për qind, pushimet e organizuara me 8.7 për qind, kujdesi personal me 1.3 për qind, gjërat personale me 3.2 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2.9 për qind në indeks”, vijon raporti.

Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te pemët me -3.7 për qind, shërbimet për transport me -5 për qind, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.2 për qind në indeks.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara