IKD kërkon nga partitë politike të ofrojnë opsionet e tyre lidhur me temat më të rëndësishme në sundimin e ligjit

18:18 | 16 Shtator 2019

Sundimi i ligjit është në fokus të punës së IKD-së dhe njëherësh programi në të cilin organizata zhvillon më së shumti veprimtari. Puna jonë drejt qëllimit që rrjedh nga vetë emri i programit përqendrohet në forcimin e zbatimit të ligjit në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur.

Ky qëllim sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, (IKD) ,arrihet përmes ngritjes së transparencës dhe llogaridhënies në sektorin e drejtësisë, avancimit të qasjes në drejtësi dhe fuqizimit të pushtetit gjyqësor në Kosovë,raporton arbresh.info.

Sundimi i ligjit përfshin por nuk kufizohet vetëm në çështje politike, kushtetuese, ligjore, si dhe çështje të të drejtave të njeriut. Çdo shoqëri demokratike, aspiratë kjo edhe e Republikës së Kosovës, synon një shtet ligjor që bazament ka garantimin dhe respektimin e vlerave, parimeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare dhe promovimin e të drejtave të njeriut, andaj si parim fundamental duhet ta njohë dhe zbatojë në praktikë supremacinë e ligjit.

Sundimi i ligjit është shtyllë që garanton shtetin demokratik dhe siguron përgjegjësinë dhe kontrollin ligjor ndaj udhëheqësve politik, siguron kontrollin dhe balancin mes pushteteve dhe promovon të drejtat dhe liritë e njeriut dhe sigurinë juridike për qytetarët e saj. Parakusht, për një shtet demokratik ku sundon ligji në mënyrë të drejtë, barabartë dhe në mënyrë të paanshme për të gjithë qytetarët është garantimi me Kushtetutë, ligj dhe në praktikë i pavarësisë së pushteteve respektive.

“Kushtetuta e Kosovës garanton ndarjen e pushteteve në mes të pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. IKD që nga viti 2009, monitoron në mënyrë sistematike sistemin e drejtësisë në Kosovë, në drejtim të hartimit të politikave dhe zbatimit të tyre në praktikë. Raportet e IKD-së, në vazhdimësi theksojnë mungesën e pavarësisë funksionale në punën e sistemit të drejtësisë.  Sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial edhe përkundër faktit se me kushtetutë dhe ligj, janë të pavarur nga pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv, praktika e ka dëshmuar, se të njëjtit janë lehtë të ndikuar nga politika  në aspektin e procesit të emërimit të prokurorëve, gjykatësve, kryeprokurorëve dhe kryetarëve të gjykatave”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

Si rezultat i ndikimit dhe ndërhyrjeve politike, Kosova sipas IKD-së  ka probleme serioze në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë, shpëlarjes së parasë dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

“Që nga koha e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur në vitin 2012, sistemi i drejtësisë në Kosovë, edhe përkundër miratimit të një numri të madh të ligjeve, politikave dhe strategjive që bazë kanë pasur promovimin e sundimit të ligjit, nuk kanë arritur që të dëshmojnë progres në arritjen e rezultateve konkrete, si në aspektin e luftimit të dukurive që ndërlidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin po ashtu edhe në aspektin e përmbushjes së mandatit kushtetues në kontrollin dhe balancimin e pushteteve. Kosova në vitin 2018, për herë të parë në raporte të caktuara ndërkombëtare ka filluar të quhet edhe si shtet i kapur”, thuhet në reagimin e IKD-së.

Vitet 2018 dhe 2019, e kanë karakterizuar Kosovën më një numër të madh të skandaleve dhe vendimeve të kundërligjshme të miratuara nga qeveria në largim, si dhe mungesë të vullnetit dhe guximit të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë për të ushtruar kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore në inicimin e procedurave hetimore në rastet kur janë raportuar apo ekspozuar aferat korruptive qoftë nga ekzekutivi i vendit apo institucionet e tjera në nivel qendror dhe lokal.

Me qëllim të riparimit të dëmeve të shkaktuara nga qeverisjet e deritanishme, përmirësimit të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë, orientimit të politikave shtetërore tek interesat e qytetarëve dhe interesit publik, partitë politike në plan programet e tyre qeverisëse, duhet t’i ofrojnë publikut konceptet e tyre lidhur me fushat e mëposhtme, duke përfshirë ofrimin e zgjidhjeve dhe trajtimin praktik të tyre gjatë mandatit të vet qeverisës.

Partitë politike sipas IKD-së, duhet të përgjigjen pyetjeve të më poshtme.

  1. Koncepti publik i partive politike lidhur me procesin e ri-shikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë.
  2. Koncepti publik i partive politike lidhur me përmbushjen e obligimeve që dalin nga Marrëveshja për Stabilizim Asociim dhe Agjenda e Reformës Evropiane në fushën e sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë.
  3. Koncepti publik i partive politike lidhur me nevojën për proces të Vetingut në Polici, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, sistem prokurorial dhe sistem gjyqësor.
  4. Koncepti publik i partive politike lidhur me rritjen e numrit të veteranëve të luftës në mënyrë të kundërligjshme dhe ruajtjen e buxhetit të Republikës së Kosovës, përfshirë kthimin e mjeteve të fituara në mënyrë të kundërligjshme (Qasja institucionale dhe ruajtja e pavarësisë së institucioneve të drejtësië në trajtimin e këtij rasti).
  5. Koncepti publik i partive politike lidhur me iniciativën e Institutit të Kosovës për Drejtësi për ta zgjedhur Kryeprokurorin e Shtetit drejtpërdrejtë Qeveria: Qytetari i Republikës së Kosovës – votuesi– me të drejtë kërkon që pushteti i ardhshëm ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Këtë mundësi e ka, sa herë ka zgjedhje nacionale, prandaj me të drejtë kërkon të zgjedhë se, cila parti ofron zgjidhje për luftimin e kësaj dukurie në Kosovë. Derisa, sistemi prokurorial vazhdon të mbetet i pavarur formalisht dhe pa llogaridhënie në aspektin praktik, asnjë qeveri nuk do ta merr përgjegjësinë për dështimet në luftimin e korrupsionit. Kjo llogaridhënie do të mundësohej si për Qeverinë ashtu edhe për Kryeprokurorin, nëse ndryshohet Kushtetuta. Cili është qëndrimi i partive politike rreth iniciativës që të bëhen ndryshime kushtetuese për ta zgjedhur Kryeprokurorin e Shtetit drejtpërdrejt nga ekzekutivi?
  6. Miratimi i Ligjit për Qeverinë: Partitë politike të dalin me koncept qeverisës lidhur me vullnetin për të miratuar Ligjin për Qeverinë, i cili ligj të përcaktojë numrin e ministrive, kompetencat, përgjegjësitë, numrin e zëvendës-kryeministrave, zëvendës-ministrave, këshilltarëve politikë, etj. Ligji për Qeverinë, të përcaktojë/kufizojë kompetencat e qeverisë në rastet kur qeveria është në ikje/dorëheqje/largim.
  7. Dekriminalizimi i qeverisjes: Partitë politike në plan-programin qeverisës të elaborojnë qëndrimet e tyre politike lidhur me emërimet në funksionet publike të personave pa të kaluar kriminale, duke vendosur standard që personat e akuzuar për veprimtari korruptive të mos jenë pjesë e qeverisjes në Kosovë (deputetë, ministra, zëvendës-ministra, borde, ndërmarrje publike, agjenci të pavarura, etj).
  8. Qëndrimi i partive politike lidhur me deportimin e “Gylenistëve”. Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit, është vërtetuar lidhur me shkeljet ligjore në procesin e deportimit të kundërligjshëm të gjashtë shtetasve turq. Partitë politike në plan programin qeverisës në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive si qeveri e ardhshme të propozojë hapat konkretë lidhur me riparimin e imazhit të Republikës së Kosovës në trajtimin e këtij rasti.
  9. Qëndrimi i partive politike rreth monopolit. Debatet e vazhdueshme rreth monopolit në homologim dhe fusha të tjera janë çështje brengosëse për taksapaguesit e Kosovës, për të cilat partitë politike duhet të kenë qëndrim dhe koncept të qartë lidhur me masat dhe hapat që do të ndërmarrin me qëllim të sigurimit të sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë në këtë fushë.
  10. Koncepti i partive politike lidhur me mbrojtjen e natyrës dhe ndërtimin e hidrocentraleve. Partitë politike duhet të dalin me koncept publik mbi adresimin e varrosjes të lumenjve, shkatërrimit të natyrës dhe rrezikimit të të drejtave elementare për jetë të qytetarëve në vendbanimet e tyre nga ndërtimet e hidrocentraleve mbi bazën e lejeve të dyshimta të lëshuara në nivel qendror dhe lokal./arbresh.info

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara