I dyshuari kryesor, Milan Radojciq, nuk do të akuzohet për vrasjen e Ivanoviqit

20:19 | 25 Nëntor 2019

Millan Radojçiq, njëri nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen e së ish-liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq, nuk pritet të jetë pjesë e aktakuzës për këtë vrasje të kryer një vit më parë.

Ndonëse tashmë për Radojçiqin është lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar, Prokuroria ka konfirmuar për KTV-në se ai nuk do të jetë i akuzuar tash për tash në këtë rast.

Megjithatë, sipas prokurorit që po udhëheq këtë hetim, Sylë Hoxha, në këtë aktakuzë do të përfshihen 6 persona, të cilët dyshohen se ndihmuan në vrasjen e Ivanoviqit.

Hoxha tregon se tashmë besohet se kanë identifikuar njërin nga dy persona të cilët ditë më parë policia ua bëri publike fotografitë, duke kërkuar informacion nga qytetarët.

Por, emrat e tyre më vonë u përmendën publikisht në Beograd nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se ata janë vetëm studentë në Mitrovicë e që padrejtësisht po ndiqen nga kosovarët.

Sipas Hoxhës, këta persona dyshohet se kishin përcjellë Ivanoviqin, pak minuta para se ai të vritej.

Ndërkaq, Marko Roshiq, njëri nga të arrestuarit e parë në këtë rast, që po mbahet në Burgun e Sigurisë së Lartë, sipas mbrojtjes së tij, ka tentuar të vetëvritet.

Oliver Ivanoviqi u vra derisa po hynte në zyrën e partisë së tij, SDP, në Mitrovicën Veriore, me 6 plumba, më 16 janar 2018.

Për këtë vrasje, në paraburgim po vazhdojnë të jenë tre persona, derisa Prokuroria, gjatë kësaj periudhe, kishte zgjeruar hetimet për shumë persona tjerë përfshirë edhe kolegë të ish-liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq, kundërshtar i hapur i politikës së Beogradit karshi Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara