Hykmete Bajrami priti në takim Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani

16:07 | 27 Maj 2020

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, priti sot në takim Auditorin e Përgjithshëm, Besnik Osmani.

Bajrami e njoftoi Osmanin me aktivitetet dhe projektet e MAShTI-t të cilat kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit në vendin tonë. Ajo foli për procesin e realizimit të mësimit në distancë në këtë periudhë pandemie, si dhe për projektet e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me përmirësimin e sistemit arsimor në përgjithësi.

Ministrja nënvizoi rëndësinë e menaxhimit të mirë të financave publike dhe qeverisjes transparente duke shprehur zotimin e plotë për bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Kombëtare të Auditimit në arritjen e këtyre objektivave.

Ndërkaq, Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, foli për rëndësinë që ka aspekti i menaxhimit dhe kontrollit të financave publike në funksion të përmirësimit të qeverisjes. Ai theksoi se përmbushja e rekomandimeve të ZKA-së kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e transparencës financiare dhe qeverisjes së mirë dhe falënderoi ministren për gatishmërinë dhe angazhimin e saj në këtë drejtim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara