Hoxha: Qeveritë kanë dështuar t’u ofrojnë ndihmë bizneseve dhe qytetarëve

12:52 | 6 Gusht 2020

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Sejdi Hoxha, ka vlerësuar se qeveria e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti ka dështuar t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve në kohën kur vendi ynë është duke u ballafaquar me pandeminë Covid-19.

Në këtë intervistë dhënë “Epokës së re”, Hoxha ka thënë se qeveria Hoti është duke e vazhduar rrugën e dështimit të cilën e kishte nisur ish-qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.

“Të njëjtin dështim e ka edhe qeveria Hoti, pasi për më shumë se gjashtë muaj s’ka arritur ta implemtojë një pako të vetme fiskale, e cila si pikë kryesore ka dhënien e 170 eurove për punëtorët e sektorit privat dhe pagesën e qerasë për 50 për qind për bizneset. Karshi vendeve të rajonit, Kosova është vonuar më së shumti për zbatimin e pakos fiskale. Qeveria apo kryeministrat, ato para nuk kanë pasur t’i japin nga buxheti familjar, pasi ka ekzistuar buxheti shtetëror, mirëpo si pasojë e mosdijes dhe zvarritjes së këtij procesi, ende bizneset dhe qytetarët s’i kanë marrë pagesat e dyta”, është shprehur Hoxha, duke e quajtur joprofesionale qeverinë Hoti.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të duhej ta ndiqte shembullin e shumë vendeve evropiane të cilat kanë reaguar me urgjencë karshi pandemisë.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se gjatë gjithë kësaj kohe grupi parlamentar i PDK-së ka qenë konstruktiv sa i përket menaxhimit të situatës në të cilën gjendet vendi.

Hoxha ka thënë se për hir të interesit të qytetarëve, PDK-ja, edhe pse në opozitë, ka mbështetur buxhetin e rishikuar edhe pse, sipas tij, ky buxhet është me plot defekte.

“PDK-ja ishte e gatshme ta japë kontributin në mënyrë që pandemia të ketë ndikim sa më të vogël në jetën e qytetarëve por, fatkeqësisht, kjo pako nuk ka gjetur përkrahje nga partitë e atëhershme në pozitë”, është shprehur Hoxha.

Hoxha, i cili është edhe anëtar i komisionit hetimor parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, ka folur edhe për punën e këtij komisioni.

“Për vitet të tëra janë hedhur akuza të ndryshme ndaj PDK-së sa i përket procesit të privatizimit. Për ta dëshmuar të kundërtën dhe për t’i hedhë dritë këtij procesi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, e ka iniciuar një hetim parlamentar nga Kuvendi”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa duke folur për mundësinë e përfshirjes së PDK-së në qeverinë Hoti, Hoxha ka thënë se po të ishin të interesuar tashmë do të ishin në pushtet.

“Deri më tani e kemi pasur mundësinë që të jemi parti në pushtet, por nuk kemi dashur”, ka deklaruar Hoxha.Sa iu përket raportimeve në media për mundësinë e përfshirjes së PDK-së në qeverinë Hoti, Hoxha ka thënë se nuk janë të interesuar për një gjë të tillë.

“Deri më tani e kemi pasur mundësinë që të jemi parti në pushtet, por nuk kemi dashur. Ne kemi dashur që të reflektojmë si parti opozitare dhe të dëshmojmë që jemi për shtetin dhe qytetarët edhe pse jemi në opozitë”, ka deklaruar Hoxha.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara