Hoti publikon foto nga diskutimi i sotëm, nuk i injoron ato ku shihen letrat e protestës

19:36 | 16 Shtator 2020

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot ka marrë pjesë në tryezën e diskutimit “Kryeministri i Kosovës përballë platformës së shoqërisë civile për dialog”, me përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjatë fjalimit, Hotin e kanë ndërprerë dy aktiviste të PSD’së, me fishkëllima, letra e pyetje rreth dhunës së grave në vend

Hoti ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook fotografi nga diskutimi i sotëm, ku ka folur rreth asaj që u diskutua për dialogun.

Hoti në postimin e tij nuk i ka injoruar fotografitë në të cilat shihen edhe letrat e hedhura përtokë nga aktivistet e PSD’së.

Gjatë fjalimit të Hotit, aktivistet e PSD’Së, Natyra Kuçi dhe Teutë Rrusta, e kanë ndërprerë duke fishkëlluar e hedhur letra me mbishkrimin “Qeveri patriarkale”.

Dy aktivistet e PSD-së kanë ndalur sot duke fishkëllyer fjalimin e Hotit duke e pyetur atë se pse nuk po flet për dhunën ndaj grave dhe vrasjen e tyre nga burrat.

“Përderisa dhuna në familje është duke u rritur, ju nuk e keni thënë asnjë fjalë. Grave po iu mohohet e drejta e jetës, e pronës dhe krejt këto janë formalisht dhe as ju nuk ish dashtë me e pasë të drejtën me u sill kështu karshi shoqërisë. Për këtë arsye kemi vendosur me ua ndalë fjalën”, ka thënë Rrusta.

Më pas debatin me Hotin e ka vazhduar Natyra Kuçi, zëdhënëse e PSD-së.

Ajo e ka pyetur kryeministrin pse organizon tryeza për dialogun me Serbinë dhe nuk ndërmerr asnjë veprim dhe as nuk ka reaguar në rastet e fundit, ku një burrë në Mitrovicë ka therur gruan e tij me thikë disa herë, në prani të fëmijëve, ndërsa Pjetër Ndrecajt, që ka vrarë gruan e tij dhe vajzën 9 vjeçe, i është zvogëluar dënimi.

“Pse dialogu ma i rëndësishëm se jeta e grave”, ka pyetur Kuçi.

Hoti është përgjigjur duke thënë se ai çdo herë është në mbrojtje të të drejtave të grave.

“Nuk e gjeni një person që i mbron të drejtat e grave më shumë se unë… a po doni çdo ditë të jap deklarata, apo i shikoni veprimet”, ka thënë Hoti më pas. /Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara