Hoti: Adem Mikullovci, frymëzim për brezat e rinj, për artin por edhe për atdhedashuri

09:52 | 15 Shtator 2020

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe komunitetit të artistëve pas vdekjes së aktorit të njohur, Adem Mikollovci.

Hoti përmes një shkrimi në facebook ka thënë se Mikollovci do të mbetet përherë frymëzim për brezat e rinj, për artin por edhe për atdhedashuri, shkruan arbresh.info.

Tutje ai ka thënë se aktorin e mirënjohur do ta kujtojnë edhe si njërin prej delegatëve të Kuvendit të Kosovës nga vitet 1990 – 92, kur u shpall deklarata Kushtetuese dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës.

Postimi i plotë:

Aktori i madh shqiptar, Adem Mikullovci, na paska lanë e paska ikë nga kjo botë, por vepra e tij asnjëherë nuk do të na lërë.
Ai ishte përherë pjesë e gëzimeve dhe festave në familjet tona. Me veprat e tij artistike dhe dashurinë që kishte ndaj të bukurës, ai ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer në artin dhe kulturën tonë.
Ai do të mbetet përherë frymëzim edhe për brezat e rinj, për artin por edhe për atdhedashuri. Përveç që ishte një artist i shkëlqyer, ai ishte edhe një atdhetarë i pashoq. Bacën Adem përherë do ta kujtojmë edhe si njërin prej delegatëve të Kuvendit të Kosovës nga vitet 1990 – 92, kur u shpall deklarata Kushtetuese dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës.
Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë komunitetit të artistëve.
Lavdi jetës dhe veprës së Bacës Adem!/arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara