Haradinaj priti në takim njohës ambasadorin e ri britanik në Kosovë, Nicholas Abbott

15:53 | 5 Shtator 2019

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim njohës, ambasadorin e ri britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, të cilit i ka uruar mirëseardhje në pozitën e tij për një mandat disa vjeçar në vendin tonë.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e informoi z. Abbott për progresin e Kosovës, të arritur deri më tani, për proceset që po kalon vendi si shkuarja në zgjedhje, nevojën e forcimit të institucioneve demokratike, rritjen e mirëqenies së qytetarëve, thellimin e reformave në vend dhe konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj e ka falënderuar z. Abbott për mbështetjen e vazhdueshme që shteti ynë mik, Britania, i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në shumë fusha në të gjitha etapat e shtetndërtimit të saj, dhe ka kërkuar nga ai mbështetjen e mëtejme për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Ndihma dhe angazhimi i Britanisë së Madhe është i nevojshëm për Kosovën dhe ky partneritet duhet të avancohet edhe në fusha të tjera, në interes për të dyja vendet”, tha kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara