Haradinaj arsyeton ndryshe mosshkuarjen në Samitin e Pragës

11:24 | 12 Shtator 2019

Dje Kosova ka anuluar pjesëmarrjen e planifikuar në Samitin i Pragës, mes katër shteteve të Vishegradit dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Dhe siç u raportua nga Agjencia Çeke e Lajmeve, duke iu referuar burimeve të saj diplomatike, refuzimi i Kosovës për të marrë pjesë në takimin e së enjtes, vjen si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të presidentit çek, Milosh Zeman, i cili, të enjten e kaluar, kishte deklaruar se dëshiron t’i diskutojë mundësitë kushtetuese që Republika Çeke të tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Por kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj, thotë se Kosova ka hyrë në cikël të zgjedhjeve dhe kjo ia pamundëson atij shkuarjen në Samitin e Pragës.

“Kosova ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe angazhimet në këtë kohë të rëndësishme për vendin, kanë pamundësuar pjesëmarrjen time në punimet e Samitit të V4 dhe WB6, nën kryesimin e Republikës së Çekisë. Përmes kësaj letre i kam shprehur falenderimet e sinqerta Kryeminstrit të Republikës së Çekisë, z. Andrej Babis, për ftesën drejtuar Kryeministrit të Kosovës për të marrë pjesë në Samit, dhe çmojmë lartë përkushtimin e Republikës së Çekisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës evropiane të rajonit. Si Kosovë do të vazhdojmë të jemi kontribues serioz për paqe dhe stabilitet në rajon dhe ndaj dialogut me Serbinë, i cili do të përfundoj me njohje reciproke, në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinaj.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara