Haki Abazi tregon se kur do të mblidhet Qeveria për të hequr taksën

07:58 | 14 Shkurt 2020

Ditë më parë Qeveria e Kosovës shfuqizoi disa vendime të asaj paraardhëse.

Por, u premtua se shfuqizimet do të vazhdojnë.

Në nja nga këto pika të rendit të ditës do të futet edhe largimi i tarifës doganore 100% ndaj shtetit serb.

E në cilën mbledhje do të bëhet kjo ende nuk është vendosur. Këtë për arbresh.info e ka konfirmuar zëvendëskryeministri, Haki Abazit.

“Për taksën nuk kemi informacione, jo në kuptimin se procesi është duke u përgatit për punën e dialogut nuk është që kemi datë specifike për heqjen e taksës sepse taksa zëvendësohet me reciprocitet kështu që nuk kemi asgjë në atë drejtim njëherë”, ka thënë Abazi.

Abazi ka shtuar gjithashtu se ende nuk është caktuar cilat vendime për shfuqizim do të vendosen në mbledhjen e ardhshme.

“Edhe me më pyet nuk e kam atë informacion,  jemi në përgatitje të mbledhjes së ardhshme të Qeverisë, ende agjenda nuk është përcaktuar”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë që kryeministri i sapo zgjedhur i Kosovës, Albin Kurti pas marrjes së kësaj pozite ka ripërsëritur se taksa ndaj Serbisë do të hiqet.

Ai ka shtuar se ajo do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit.

“Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës e kam shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%”, kishte shkruar ai përmes një postimi në facebook.

E këtë vazhdimisht e kanë kundërshtuar nga partia e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj.

Të enjten kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj tha se taksa duhet të hiqet pas njohjes nga Serbia.

Haradinaj ka thënë se AAK nuk ndryshon qëndrim, është kundër heqjes së takës. E sipas tij as reciprociteti që e ka propozuar Kurti nuk mund të realizohet pa njohje.

“Ne qëndrimin e kemi publik, vazhdojmë të kërkojmë që taksa të mbetet në fuqi deri në njohjen nga ana serbe. Hapja e këtij diskutimi e ka burimin nga kryeministri i cili propozoi reciprocitet mes dy shteteve por përsërisë nuk ka njohje nuk ka as reciprocitet”, ka thënë ai.

E për taksën ka folur edhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i cili përmes një letër dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti tha se shpreson që prioritete të liderit të ri të jenë heqja e tarifës 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës dhe njohja e ndërsjellë me Serbinë.

“Heqja e tarifave në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës do të jetë e rëndësishme për kthimin e palëve në tavolinën negociuese. Ne shpresojmë dhe presim që ju do ta bëni këtë gjë prioritet dhe do të përfitoni nga momentumi i krijuar pas dy letrave të qëllimit për të krijuar lidhje ajrore dhe hekurudhore në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Pompeo në letër.

Taksa doganore 100% ndaj produkteve serbe ishte vendosur në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës në nëntor të 2018-es/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara