Gratë deputete, përtej përkatësisë partiake

07:49 | 27 Shkurt 2020

Gratë deputete në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre partiake, thonë se do të angazhohen bashkërisht për të ndërmarrë aktivitete të ndryshme për fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe politikë dhe në promovimin e instrumenteve ligjore për barazi gjinore.

Më qëllim që t’i çojnë përpara çështjet në interes të barazisë gjinore, qysh në vitin 2005, është krijuar Grupi joformal i grave në Kuvendin e Kosovës, që synon kauza që prekin shoqërinë, të drejtat e njeriut dhe fuqizimin e rolit të gruas në nivel vendi.

Nga ky Grup joformal i grave deputete janë ndërmarrë disa nisma politike dhe ligjore në drejtim të rritjes së pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të grave e vajzave në politikë, por edhe në vendimmarrje.

Mimoza Kusari-Lila deputete në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, shpreson se në këtë legjislaturë të ketë një intensifikim të punës se Grupit të grave deputete, por edhe ngritje të çështjeve me rëndësi, duke filluar nga prezenca dhe vendimmarrja e grave në procese të rëndësishme politike.

“Legjislatura e kaluar ka identifikuar edhe kuvendin edhe qeverinë me numër minimal të grave të angazhuara në procese të rëndësishme, siç është rasti te dialogu, ku kishim një grup prej 14 burrave edhe nga kuvendi edhe nga qeveria që ishin përcaktuar të jenë në negociata më Serbinë. Kurse tash, jo vetëm në këtë proces, por edhe në proceset tjera besojmë se prezenca e grave nuk dallon”, tha Kusari-Lila.

Edhe Blerta Deliu – Kodra, deputete në Kuvendin e Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pavarësisht dallimeve politike, Grupi i grave do të ngrehë kauza të shumta që kanë të bëjnë me fuqizimin e gruas në shoqëri, familje dhe vendimmarrje.

“Gratë deputete edhe në këtë mandat do të arrijnë të angazhohen për fuqizimin e grave në shoqëri. Ne kuptojmë se problemet e vajzave të reja dhe problemet e grave në Kosovë vazhdojnë të jenë sfidë. Rastet e dhunës në familje, rastet e trajtimit të tyre në vendet e tyre të punës, papunësia e lartë, pastaj pushimi i lehonisë dhe shumë çështje të tjera që do t’i ketë për synim edhe në këtë mandat Grupi i grave deputete”, tha Deliu-Kodra.

Çështjet gjinore nuk mund të kenë motivim dhe orientim politik, thotë Albena Reshitaj, deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke shtuar se numri i madh i grave në qeveri duhet të jetë motivim për gratë në Kosovë.

Por, pavarësisht kësaj, Reshitaj thotë se gjatë kësaj legjislature nuk do të mungojë angazhimi për fuqizimin e rolit të grave në shoqëri.

“Për të drejtat në trashëgimi, krijimin e hapësirës për punë, jam e lumtur që tashmë ka shumë vajza dhe gra që janë të shkolluara me nivel të lartë të arsimit, po ato janë të papunësuara në profesionin e tyre. Dhe mendoj se duhet të jetë urgjencë që të krijohen mundësi që këto gra të punësohen në profesionet e tyre”, tha Reshitaj.

Gratë deputete vlerësojnë se zëri i tyre në këtë legjislaturë do të jetë më i fuqishëm, për faktin se në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, gratë siguruan 38 nga 120 ulëse sa ka Kuvendi i Kosovës, përmes votave të fituara, pa pasur nevojë për kuotë gjinore.

Përveç rritjes së numrit të grave deputete në kuvend, për herë të parë që nga formimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, në qeverinë e re të drejtuar nga Albin Kurti, që përbëhet nga 15 ministri, pesë prej tyre do udhëhiqen nga gratë. Ndërkohë, në krye të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur po ashtu një grua, Vjosa Osmani e cila zëvendëse të parë ka po ashtu një grua, deputeten Arbërie Nagavci.

Por, pavarësisht këtyre, sipas një raporti për vitin 2019 të Institutit për Studime të Avancuara GAP, thuhet se shkalla e punësimit të grave, sidomos në pozita të larta udhëheqëse, mbetet shumë e ulët në krahasim me burrat. Këto dallime janë më të shprehura sidomos në nivelin qendror.

Përveç në pozita drejtuese, në përgjithësi, shkalla e grave të punësuara mbetet më e ulët se e burrave. Përderisa shkalla e papunësisë te burrat, më 2019, ishte 22.8 për qind, shkalla e papunësisë te gratë ishte 32.7 për qind.

Në anën tjetër, thuhet në raport, interesimi i grave për të gjetur një vend pune është gati i të njëjtit nivel me atë të burrave./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara