Grabitet banka në ‘Veternik’, lëndohet një zyrtare

14:22 | 5 Nëntor 2018
Policia njofton se sot rreth orës 09:00, ka marrë informatën për një grabitje të armatosur, në filialin e një banke në lagjen ‘Veternik’, në Prishtinë.

Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.

Njoftimi i plotë:

Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nën kërcënimin e armëve, ku tre persona të maskuar, kanë grabitur një sasi të parave, kanë sulmuar fizikisht një nga zyrtarët e bankës dhe pasi kanë shtënë njëherë në ajër, janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Personi i lënduar (zyrtare e bankës), është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërkohë që policia po punon me përkushtim për të identifikuar personat e dyshuar dhe vendndodhjen e tyre.

Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara