Gaxherri: LDK-ja s’do të jetë pjesë e dialogut nga pozicioni i opozitës, duhet të shkojmë në zgjedhje

00:32 | 26 Korrik 2018

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri ka deklaruar se partia që ajo i përket assesi nuk do të jetë pjesë e dialogut me Serbinë nga pozicioni i opozitës, ndërsa thekson se zgjedhjet janë zgjidhja e vetme e këtyre problemeve për Kosovën.

“Në politikë duhet të bëjmë analiza, mund të deklarohemi se jemi kundër Thaçit si emër, edhe pse kemi arsyet tona për këtë. Për me përfaqësuar Thaçi Kosovën në dialog duhet Kuvendi me u mbledh e me ia dhënë të drejtën me 2/3 dhe nuk e shoh kjo të ndodhë. Për fat të keq presidenti nuk e ka luajtur asnjëherë rolin unifikues. Ai duhet me reflektuar vet e duhet me hap rrugë. Duam të besojmë se është fundi i këtij dialogut të stërzgjatur, dhe të përfundojë ky dialog i pakuptimtë i nisur në mënyrë arbitrare pikërisht nga Thaçi, që ishte i papërgatitur. Ne kemi rrëshqitur në aspektin politik, dhe i kemi dhënë hapësirë Serbisë të hap çfarëdo teme. Ne nuk duhet të kemi vështirësi në dialogë kur dihet se duhet të shkojmë sipas asaj që ka përcaktuar GJND-ja”, ka thënë Gaxherri në Interaktiv të KTV-së.

Ajo ka theksuar se e vetmja zgjidhje është të shkohet në zgjedhje, dhe të fitohet legjitimiteti për të udhëhequr dialogun.

Kryeministri e ka për detyrë të marrë këtë punë në duar, e kryeministri aktual është i papërgjegjshëm e që nuk e ka kryer punën e tij. Nëse është faza e fundit atëherë nuk mund të shkohet pa një platformë të nxjerrë nga Kuvendi. Besoj se do të përpiqemi me nxjerrë një rezolutë që ndoshta do të kornizonte përfaqësimin, por dyshoj shumë se kjo do të ndodhë duke parë mënyrën se si po udhëheqin kryeparlamentari, kryeministri e presidenti. Çdo rezolutë nga Kuvendi duhet të jetë me 2/3, dhe besoj se nuk do të ndodhë që të kalojë që presidenti me udhëheqë dialogun. Nuk ka mundësi tjetër përveç zgjedhjeve nacionale”, ka thënë ajo.

Gaxherri shton se liderët edhe këtë proces po donë me rikthy në favoret e tyre personale, e shton se do të donte që bashkësia evropiane ta përshpejtojë këtë proces e të jenë më korrekt.

“Për liberalizimin duhet vërtetë të punojnë që ta përfundojnë këtë vit. E për dialogun nuk duhet të ngutemi. Problem është që nëse dikush për ta shpëtuar lëkurën e tij mund të arrijë marrëveshje të dëmshme. Nuk është problemi nëse përfundon ose jo dialogu me Serbinë. Ajo kurrë s’do të pajtohet me Kosovën. Deklaratat e presidentit janë shumë të dhimbshme. Nuk di si guxon një politikan m’u deklaru se do të ketë kompromise të vështira. S’ka kompromis më të vështirë se pakoja e Ahtisarit e s’ka deklaratë më të fuqishme se ajo e GJND-së”, ka thënë Gaxherri në Interaktiv.

Ajo është kundër shkëmbimit të territoreve, e thekson se Kuvendi duhet të caktojë vija të kuqe.

“Nuk mund të luajmë lojën e Serbisë, kjo është e papranueshme. Është e papranueshme që të flasim për ndarje territoriale, duhet të kemi vijat e kuqe të ngurtësuara në Kuvend. Kushdo që shkon në dialog duhet të shkojë me ketë vija të kuqe, e nuk guxon t’i kalojë ato. Delegacionet tona shkojnë pa asnjë letër përpara, e pastaj Kuvendi me pas kokëçarje për papërgjegjësinë e individëve. Nuk është e hijshme të shkojmë atje si fise, pasi tani kemi institute dhe duhet të legjitimojmë grupe të caktuara për këto çështje”, është shprehur deputetja e LDK-së.

Gaxherri ka konfirmuar se LDK-ja është deklaruar kundër idesë së Lutfi Hazirit që Presheva të bashkohet me Kosovën, e Serbisë t’i jepet veriu i Kosovës. Çdo ndryshim i kufijve sipas saj do të sillte luftë.

“LDK-ja nuk e mbështet idenë e Hazirit, që Kosovës t’i jepet Presheva, e Mitrovica t’i jepet Serbisë. Kjo është ide e tij personale, dhe LDK-ja është distancuar nga kjo. Thaçi nuk ka të drejtë ta bëjë këtë. LDK-ja është deklaruar se nuk e mbështet një gjë të tillë. Duhet të punojmë që të respektohen të drejtat e shqiptarëve, ashtu siç ne i respektojmë të drejtat e Serbëve, dhe duhet të kemi edhe dokument për këtë. Ndryshimi i kufijve shkakton luftëra në Ballkan e ndoshta edhe më gjerë. Jam e sigurt se edhe gjeneratat e reja janë e gatshme ta mbrojnë me çdo kusht vendin e vet”, thotë Gaxherri.

Gaxherri më tutje ka kërkuar që kryeministri të lëshojë rrugë, e të shkohet në zgjedhje.

“Sikur të jemi këmbëngulës që të kërkojmë të drejtat e shqiptarëve në Serbi. LDK-ja nuk do të bëhet pjesë e dialogut pa shkuar në zgjedhje. Nëse LDK-ja fiton atëherë do ta përfaqësojmë ne dialogun, dhe do të ketë gjithë përfshirje. Kryeministri duhet të lëshojë rrugë në momentin kur nuk merr përgjegjësi. Nuk do të marrim pjesë në votim. Nëse nuk funksionon Kuvendi duhet të shkojmë në zgjedhje. LDK-ja nuk do të jetë pjesë e këtij dialogu nga pozicioni i opozitës, dhe pa LDK-në s’ka dialog”, është shprehur ajo.

Sipas saj nuk mund të vazhdohet në këtë formë me liderë institucional të papërgjegjshëm, pa kredibilitet, “që të tre krerët janë jokredibil. Aq më tepër kur flasim për një proces kaq të rëndësishëm si dialogu me Serbinë”.

“Thaçi nuk e ka legjitimitetin me përfaqësuar Kosovën në dialog. Kuvendi ka nxjerrur rezolutë për Qeverinë. Presidenti s’ka legjitimitet për këtë dialog. Fati i mirë është se kemi dokumente kushtetuese se si duhet të funksionojmë. Zgjedhim përfaqësuesit dhe ata duhet të marrin përgjegjësi kur shkojnë në bisedime”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se partitë opozitare duhet të jemi të unifikuara.

“Urojmë që PSD-ja është opozitë. Mundem me i lutë VV-në dhe PSD-në që të punojnë me deputetët në pushtet për të bërë mocionin. LDK-ja është e gatshme të punojë në këtë drejtim. LDK-ja nuk e mbështet askënd jashtë rregullave kushtetuese. Këtë mandat kemi unitet si asnjëherë më parë. Kemi një funksionim shumë të mirë, duke iu falënderuar Hotit. Është një unitet i paparë deri tani. Uroj që shumë kandidat të kenë platformë dhe të hyjnë në garë për kreun e LDK-së. Kryetari Mustafa po na mungon, dhe i uroj shëndet. Kohë pas kohe shkojmë e takojmë”, ka thënë ajo./Koha.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara