Gashi: Specialja do të duhej të ftonte Thaçin, Veselin e Halitin

00:37 | 16 Tetor 2019

Edhe pse e quan gjykatë raciste, avokati Tomë Gashi ka thënë se Gjykata Speciale do të duhej të ftonte presidentin Hashim Thaçin, kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, dhe Xhavit Halitin, ish-deputet i PDK-së.

Sipas tij, pasi që është pranuar të formohet Specialja dhe ajo ka marrë për bazë Raportin e Dick Martyt e ku përmenden pos këtyre tre figurave të njohura të UÇK-së dhe emra të tjerë, “duhet të bëhet patjetër zbardhja e plotë e raportit”.

“Pa Hashim Thaçin s’do të kishim fare Gjykatën Speciale. Ka mundur të luhet lojë ndryshe për të mos arritur numrin e 80 deputetëve për të bërë ndryshim kushtetuese, dhe askush s’ishte kundër nëse ajo do të ishte brenda territorit, por ta dërgojmë sistemin juridik jashtë shtetit, e të gjykohen ushtarët tanë 3000 kilometra ishte ide e dikujt për të mbrojtur veten. Edhe Veseli, edhe Xhavit Haliti, Hashim Thaçi do të ftohen apo do të duhej në njërën cilësi apo tjetër që të japin dëshmitë e tyre. Nëse përfundon punë Specialja e këta s’ftohen prapë do të mbesin aludime se kjo çështje nuk është zbardhur në tërësi. Meqenëse ishim aq të mjerë që deputetë për 1200 euro rrogë e kanë shitur gjakun e ushtarëve të UÇK-së për këtë gjykatë raciste do të ishte krim në vetvete nëse nuk pastrohet tërësisht raporti i Dick Martyt”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, ishte plotësisht e padrejtë që pas hetimeve të Carla Del Pontes, UNMIK-ut e EULEX-it të bëhet një tjetër gjykatë për luftën e UÇK-së.

Gashi ka bërë të ditur se ekipi i tij ka më shumë se shtatë klientë në Speciale./ktv/

Lajmet më të lexuara