Gashi: Shërbimi Korrektues i Kosovës i ka marr me kohë hapat e duhura kundër pandemisë COVID-19

10:05 | 28 Qershor 2020 | Elmedina BALLAZHI

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) me planin operativ “Coronavirus”, ka bërë një punë të mirë në menaxhimin e situatës dhe të parandalimit të përhapjes së infektimit në institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit”, kështu thonë nga ky institucion.

Në një intervistë për portalin Arbresh.info, Florent Gashi, zyrtar për Informim në Shërbimin Korrektues të Kosovës, ka deklaruar se ky dikaster i ka marr më kohë hapat e duhura kundër pandemisë Covid-19.

“Gjendja aktuale në Shërbimin Korrektues të Kosovës, është në gjendje të mirë. Shërbimi Korrektuese i Kosovës, në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Shëndetësisë, tash i ka marr të gjitha masat e nevojshme, fillimisht duke i dezinfektuar brenda dhe jashtë institucionet korrektuese, pastaj i ka mbuluar me materiale dezinfektuese gjitha institucionet korrektuese si doreza, maska e mjete të tjera higjienike”, ka deklaruar Florent Gashi, zyrtar për Informim në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Gashi ka thënë se, siguria është në nivelin më të mirë të mundshëm në SHKK, ku të gjithë të burgosurit dhe punonjësit i janë të pajisur me mjete mbrojtëse.

“Siguria është primare në institucionet korrektuese, e siguria është në nivelin më të mirë të mundshëm deri në këto momente. Të burgosurit dhe punonjësit i respektojnë të gjitha masat. E gjatë kryerjes së detyrave punonjësit e Shërbimit Korrektues të Kosovës, janë të pajisur me doreza e me maska mbrojtëse. Ndërsa, sa i përket të burgosurve nuk është e nevojshme të jenë gjatë gjithë kohës me maska mbrojtëse, sepse në institucionet korrektuese, deri më tani asnjë i burgosur nuk është prekur nga pandemia COVID-19”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se SHKK, sipas planit operativ “Coronavirus” , me qëllim të parandalimit të përhapjes së Pandemisë Covid -19, përmes mekanizmave të brendshëm, ka ndaluar vizitat familjare të të burgosurve.

“Shërbimi Korrektuese, fillimisht ka ndërmarr një plan emergjent, të cilin e kemi quajtur plani operativ “Coronavirusi”, ky plan ka paraparë disa masa, e një prej masave ka qenë ndalimi i vizitave të burgosurve nga familjarët e tyre, e menjëherë pasi i kemi ndaluar vizitat të të burgosurve, ne iu kemi dhënë atyre hapësirë të kenë telefonata të shpeshta me familjarët e tyre, pra komunikim virtual përmes aplikacionit “Skype”. E këto masa kanë filluar të lehtësohen, dhe se familjarët mund t’i vizitojnë të burgosurit, vetëm nga dy persona nga familja, e këta gjatë vizitës këto janë të obliguar të kenë me vete edhe të gjithat masat mbrojtëse”, shtoi Gashi.

Arbresh.info, ka pyetur Gashin se, nëse do të vazhdoj një gjendje e tillë pandemie, cili do të jetë orientimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, karshi punonjësve dhe të burgosurve.

Ai ka thënë se SHKK, tashmë e ka marr hapin e radhës, duke e zvogëluar numrin e punonjësve nëpër institucionet korrektuese.

“Shërbimi Korrektuese i Kosovës, tashmë e ka marr hapin e radhës, duke e zvogëluar numrin e punonjësve nëpër institucionet korrektuese. Ne në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë më intensitetin e njëjtë siç kemi punuar deri më tani”, tha ai.

Në fund, Gashi shtoi se gjatë kësaj periudhe të pandemisë në institucionet korrektuese të burgosurat femra kanë prodhuar maska mbrojtëse për të burgosurit dhe për stafin tonë punonjës, e me këto maska kemi dhënë donacion edhe në Policinë e Kosovës, dhe për shumë dikastere në nivel të vendit.E.Ballazhi/Arbresh.info

Lajmet më të lexuara