Gashi kërkon intervistim të mbyllur, anëtarët nuk e votojnë

10:43 | 5 Gusht 2019

Pas rreth gjysmë ore vonesë ka filluar mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala.

E i intervistuari i parë në cilësinë e dëshmitarit, kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të ARKEP-it, Kreshnik Gashi ka kërkuar që intervistimi të jetë i mbyllur, shkruan arbresh.info.

“Duke pas parasysh se operatorët kanë një betejë të hapur do të ishte e dobishme që kjo seancë të ishte e mbyllur për medie”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se deklaratat e tij mund të përdoren në proceset gjyqësore.

“Deklarimet tona mund të keqpërdoren apo përdoren në dëm të Telekomit të Kosovës. Unë kam qenë pjesë e atij procesi dhe kam pa që dy ish-ministrave në gjykatën e Arbitrazhit u është kërkuar të dëshmojnë edhe për intervistat televizive që kanë dhënë”, ka shtuar ai.

E kryetari i këtij Komisioni, Visar Ymeri ka thënë se për një vendim të tillë duhet të votohet.

Ndërsa anëtari i komisionit, Bekim Haxhiu ka thënë se nëse ka diçka konfidenciale të mos tregohet ndërsa seanca të mbahet e hapur.

“Duke u bazuar me deklaratë u duk dikur Telekomi është në faj. Qeshjet që ju i konsideroni konfidenacione mund të mos thuhen”, ka thënë Haxhiu.

Pas vendosjës në votim, të gjithë anëtarët e Komisionit kanë votuar që intervistimi të mbahet i hapur për medie e si i tillë edhe ka vazhduar./Arbrësh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara