“EXPOKOS 2019”, hap panairin për të tetëmbëdhjetën herë

13:51 | 16 Prill 2019

Panairi “EXPOKOS 2019”, i cili është qe tetëmbëdhjetë vite në tregun kosovar, është hapur sot për tri ditë radhazi, ku përqendrohet në fushën e makinerisë, ndërtimtarisë dhe sigurisë në punë.

Në këtë panair është nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me shoqatat e bizneseve dhe disa prej Odave Ekonomike në Kosovë, ku për qëllim ishte të forcohen lidhjet mes bizneseve, raporton arbresh.info.

“Sot kemi punuar për të ardhur në një pikë që nënshkruajmë memorandum bashkëpunimi me shoqata biznese dhe Oda Ekonomike që përfaqësojnë mijëra biznese në Kosovë dhe rajon”, tha drejtori i kompanisë CEO, Bekim Xhafa.

E shumë kritikues u tregua, Kryetari i Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi.
Ai adresoi kritika tek institucionet e vendit për shkak mos prezencës së tyre në këtë panair.

Sipas tij, ata edhe pse premtojnë shumë për bizneset, sot nuk kanë marrë mundin të shkojnë në vizitë.

“Sot nuk po shoh asnjë ministër këtu edhe pse ministrat plot gojën e kane me premtime për biznese, sot nuk paskan gjete kohë të vijnë këtu. Oda e Afarizmit të Kosovës është shumë e përqendruar në të bërit biznes. Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e vëmendshme në mbështetjen e bizneseve. Shpresojmë që ky panair të mundësoj fuqizimin e bizneseve në Kosovë”, tha Krasniqi.

Në këtë panair janë duke marrë pjesë biznese të ndryshme të fushës së energjisë, ndërtimit si dhe mbrojtjes dhe sigurisë në punë./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale