Ekskluzive: “Ushtria” që nuk i bën pjesëtarëve ekzaminime mjekësore çdo vjet

08:19 | 23 Nëntor 2019 | Mira Avdimetaj

Ndonëse me ligj është e paraparë që pjesëtarët e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës t’i bëjnë ekzaminimet mjekësore një herë në vit, një pjesë e madhe e tyre kanë tre vite që nuk i kanë bërë.

Duke pasur parasysh aktivitetet e vështira që i bëjnë si testet fizike e ushtrimet e përditshme, është e nevojshme të dihet edhe gjendja e tyre mjekësore.

Burimet e portalit arbresh.info thonë se ka tri vjet që pjesëtarë të shumtë të FSK-së nuk i kanë bërë ekzaminimet mjekësore, e që sipas ligjit ishte dashtë t’i bëjnë një herë në vit, për shkak të punës me rrezikshmëri të lartë.

FSK nuk e di se kur i kanë bërë ekzaminimet e fundit pjesëtarët e saj, duke pranuar se këto ekzaminime rregullisht i bëjnë vetëm ata që ndjekin trajnime brenda apo jashtë vendit.

“Si ministri dhe FSK, kemi politikën e ekzaminimeve mjekësore dhe konform kësaj politike i realizojmë  ekzaminimet. Në FSK, testet e ekzaminimeve mjekësore  mbahen në vazhdimësi, varësisht prej trajnimeve që kanë për të kryer pjesëtarët, si brenda dhe jashtë vendit”, ka thënë Drejtori i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, Ibrahim Shala.

Varësisht nga rasti, disa ekzaminime të veçanta nuk mund të kryhen në Kosovë. FSK thotë se i dërgon në Turqi.

Por, nuk përgjigjen në pyetjen se çfarë pasojash ka për ata pjesëtarë që nuk i kanë bërë këto ekzaminime për tre vjet.

“Kemi edhe ekzaminime të veçanta për rastet më specifike, për këto raste vendos komisioni  mjekësor. Rastet e veçanta  komisioni mjekësor i dërgon për trajtim  edhe jashtë vendit, kryesisht në Turqi, kjo bëhet mbi bazën e  Marrëveshjes së Bashkëpunimit, të nënshkruar në mes të FSK-së dhe Ushtrisë së Turqisë”, deklaroi Shala.

Kontraktor për ekzaminime mjekësore të pjesëtarëve të FSK-së është Qendra e Mjekësisë së Punës në Obiliq.

Drejtori ekzekutiv i kësaj qendre, Rexhep Kaqurri, ka treguar për arbresh.info se këtë vit (2019) kanë bërë ekzaminime mjekësore vetëm kadetët e rijnë që janë pranuar në FSK.

“Janë vetëm kadetët e rijnë që i kanë bërë ekzaminimet mjekësore sepse ata e kanë obligative se nuk mund të pranohen në FSK pa i bërë edhe ekzaminimet mjekësore. Kanë qenë rreth 20-23 kadetë”, tha ai.

I pyetur se kur i kanë bërë për herë të fundi pjesëtarët e tjerë të FSK-së ekzaminimet mjekësore, Kaqorri tha se gjatë vitit 2018 i kanë bërë vetëm rreth 900 pjesëtarë.

“Është një vizitë e përgjithshme mjekësore prej analizave të gjakut dhe raportohet për gjendjen e tyre shëndetësore. Me ligj për shëndetin në punë punëtorët duhet t’i bëjnë se paku një herë në tre vite por, punëtorët me rrezikshmëri duhet t’i bëjnë çdo vit,” thotë mes tjerash ai.

Kështu thotë edhe Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Në nenin 17 paragrafi i 5.

“Punëdhënësi të punësuarin i cili punon në vend të punës me kushte të veçanta të punës, është i detyruar ta dërgojë në kontrollim mjekësorë së paku një herë në vit dhe sa herë të paraqitet nevoja, varësisht prej gjendjes shëndetësore të tij”.

Lidhur me këtë temë, “të çuditshme” kanë qenë reagimet e disa ish-udhëheqësve e komandantëve të FSK-së.

Agim Çeku ish-zëvendësministër i Mbrojtjes ka thënë se nuk është më pjesë e FSK-së dhe nuk ka informacione.

“Nuk jom mo në FSK. Ja s’jom aty, jam shkëput krejt nga aty”, u shpreh shkurt Çeku.

Haki Demolli, ish-ministri që asokohe është quajtur MFSK nuk ka pasur përgjigje për këtë çështje.

“Nuk kam informacione për këtë çështje.”

As ish-komandant i  FSK-së, Kadri Kastrati, aktualisht zëvendësministër i Mbrojtjes, nuk ka pasur koment për këtë temë.

“Unë s’jom i thirrur në atë punë me të dhënë komente ty. Për këtë punë s’kam koment çka me t’thanë”.

Javën e kaluar 337 ushtarë të rinj të forcës së Sigurisë së Kosovës kanë dhënë betimet e tyre në objektet e kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë.

Kujtojmë se në muajin tetor të këtij viti një nënoficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës i cili punonte në Batalionin e Reagimit të Shpejtë në Mitrovicë ka vdekur në vendin e punës./arbresh.info/

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara