Ekonomia e ‘paprekur’ nga linja e re ajrore Kosovë-Serbi

08:18 | 25 Janar 2020 | Agnesa Çitaku

Të hënën në Berlin është nënshkruar marrëveshja për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

E kjo linjë ajrore veç tjerash pritet të ndikoj dhe në aspektin ekonomik të të dy vendeve.

Njohësit e ekonomisë në prononcimet dhënë për arbresh.info kanë hedhur poshtë mundësitë për krijimin e një tregu të përbashkët. Ata kanë folur gjithashtu nëse pas kësaj marrëveshje është koha e duhur për largim të taksës doganore 100% të vendosur ndaj Serbisë.

Besart Zhuja, analist i politikave ekonomike në Klubin e Prodhuesve ka thënë se pa njohje paraprake të shtetësisë së Kosovës nga Serbia nuk mund të arrihet një marrëveshje për themelimin e një tregu të përbashkët.

“Pasi që të krijohet një ‘treg i përbashkët’ me autoritetet e veta, nevojitet mbikëqyrje e vazhdueshme e zbatimit të tyre. Pra, për të ruajtur mirë-funksionimin e një “tregu të përbashkët” është e nevojshme të themelohet një gjykatë e cila ka kompetenca të interpretoj dhe avancojë rregullat e këtij tregu. Dhe në këto rrethana në të cilat gjendet Kosova dhe Rajoni nuk ka hapësirë për një marrëveshje të tille. Nuk mund të arrihet një marrëveshje për themelimin e një tregu të përbashkët pa pasur një njohje paraprake të shtetësisë së Kosovës nga Serbia”, ka thënë ai.

Zuja ka shtuar gjithashtu se taksa ka pasur një impakt të madh në rritjen dhe stabilitetin e prodhimeve vendore.

“Taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës vitin e kaluar pati një impakt të madh në rritjen dhe stabilitetin e prodhimeve vendore. Kështu, me vendosjen e taksës vërehet një perspektivë e re ekonomike për Kosovën në raport me investimet në këtë sektor. Për të parë më afër se cili ishte impakti i vendosjes së taksës, atëherë duhet të lexohen disa indikatorë. Taksa kundrejt B&H-së dhe Serbisë ishte një mjet politik i përdorur nga Kosova për t’ju kundërvu politikave të Serbisë ndaj Kosovës si në aspektin politik, ashtu edhe në aspektin ekonomik. Duhet të theksohet që prodhuesit e Kosovës vazhdimisht ballafaqohen me barriera jo-tarifore nga ana e Serbisë”, ka thënë Zuja.

Sipas tij taksa doganore ndaj Serbisë nuk duhet të hiqet deri në krijimin e një plani strategjik për tregtinë nga Qeveria e Kosovës.

“Taksa duhet të qëndroj deri në atë moment kur qeveria e re e Kosovës të hartoj një plan strategjik për tregtinë. Për shembull, të analizoj mirë ligjet për masa mbrojtëse të cilat do të siguronin një mbrojte të shtetit për sektorin e prodhimit nga konkurrentët e jashtëm të cilët eksportojnë në Kosovë nën Dumping (shitje nën koston e prodhimit) dhe dëmtojnë prodhuesin vendor. Të gjitha shtetet e zhvilluara të botës përdorin politika të tilla – pra politika të reciprocitetit ose kundërmasa. Për shembull kemi rastin e çelikut të Kinës ose Ukrainës për të cilin Bashkimi Evropian e aplikon një tarifë mbrojtëse për prodhuesit brenda Bashkimit Evropian, ose kemi rastin e fundit të luftës tregtare në mes të Kinës dhe Amerikës ku Amerika filloj të vinte taksë për një listë të gjerë të produkteve Kineze, etj”, ka përfunduar ai.

Edhe Jakup Bellaqa, njohës i ekonomisë, ka deklaruar se kjo linjë e re do të shpërfaqë mundësinë që ekonomia të filloj të hapet.

“Përparësitë ne aspektin ekonomik pas lëshimit te linjës së re ajrore Kosovë- Serbi, se ne jemi ende ekonomi e mbyllur dhe kjo i mundëson që ekonomia që fillon të hapet, sepse krijon parakushte dhe kushte qe të mundësohet lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe ideve, dhe të zhvillohet ekonomia e lire e tregut, që faktikisht jemi përcaktuar si shtet dhe si shoqëri për ekonomi të lirë të tregut, rrjedhimisht kontribuon edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës, sepse ekonomia krijon vlerë ekonomike të shtuar dhe rritje ekonomike dhe i rritë të hyra buxhetore në arkën e shtetit tonë”, ka thënë ai.

Ndërsa rreth largimit të taksës, Bellaqa është shprehur se duhet larguar pas nënshkrimit të marrëveshjes për tregti të lirë.

“Sa i përket se është kërkuar edhe heqja e taksës 100%, dhe a është koha ideale për ta hekur, mendoj se së pari duhet te krijohen institucionet qendrore pra Qeveria, pastaj duhet të negociohet dhe të nënshkruhet një marrëveshje ndërshtetërore për tregti të lirë ku duhet të veprohet sipas rregullave brenda kornizave të tregtisë së lirë, kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet në bashkëpunim të ngushtë me palën e SHBA-së, dhe BE-së”, ka përfunduar ai.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka thënë për arbresh.info se nuk pret që mallrat të transportohen përmes kësaj pike.

“Nënshkrimi marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për hapjen e linjës së re ajrore, vjen si rezultat i ndërhyrjes së drejtpërdrejt të politikes së Ëashingtonit dhe kjo pothuajse është bërë pa dëshirën e të dy palëve por ne vlerësojmë se kjo ky është një hap i madh i cili edhe një herë promovon se mes Kosovës dhe Serbisë thuhet të ndërhyje një fuqi e madhe për të përfunduar marrëveshjet që janë nënshkruar por që nuk po zbatohen, atyre pengesave që janë mes dy shteteve. Nuk e besoj se mallrat e Kosovës dhe Serbisë do të barten përmes vijës ajrore për shakë se kanë kosto më të lartë por për udhëtarët mund të jetë një linjë ndërmjetësuese. Kjo linjë fillimisht nuk do të ketë linjë të madhe ekonomike për kompanisë por kjo do të subvencionohet ën forma të ndryshme për hir të mbajtjes së kësaj linje në formë komerciale”, ka thënë ai.

 

Ndërsa rreth taksës doganore ndaj shtetit serb, Shahini ka thënë se përmes kësaj marrëveshje taksa nuk është eliminuar. Shahini ka shtuar gjithashtu se problemet ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhen vetëm pas zgjidhjes së problemeve politike.

“Me këtë marrëveshje nuk do të thotë se taksa është eliminuar dhe do të eliminohet por presioni ndërkombëtarë që po i vjen Kosovës, kjo taksë do të gjej forma për t’i dhënë frymë dialogut me Serbinë në një afat të caktuar në masë të reciprocitetit e kjo masë mund jetë masë derisa Kosova dhe Serbia t’i eliminojnë të gjitha barrierat. Taksa ka dhënë efekte të mëdha për ekonominë e vendit, efekte të mëdha për arenën ndërkombëtare në politike dhe gjithçka ka ndodhë mes Kosovës dhe Serbisë nuk është vetëm ekonomike por edhe politike. Zgjidhja e problemeve politike mes dy vendeve i jep drejtim edhe zgjedhjes ekonomike”, ka përfunduar ai.

Ndryshe pas marrëveshjes së nënshkruar në fillim të kësaj jave në Berlin, Kosova dhe Serbia për herë të parë do të hapin linjën e re ajrore pas luftës./arbresh.info/

Lajmet më të lexuara