Ekipet nga Kosova arrijnë në Fier për vërshimet

12:25 | 3 Dhjetorë 2017

Ekipet për shpëtim dhe ekspertët për vlerësimin e situatës të Agjencisë për menaxhim të emergjencave në Kosovë, kanë arritur në Fier të Shqipërisë për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit për shkak të të reshurave dhe vërshimeve në këtë rajon të Shqipërisë.

Mëtutje, Ministria e brendshme e Kosovës, dje ka njoftuar se një pjesë e ekipit nga Kosova “është duke kryer operacione në fshatin Novosellë të Fierit”.

“Ky është intervenimi i dytë i Agjencisë për menaxhim emergjent të Republikës së Kosovës në rajon, pas ndihmës që i është dhënë më parë Republikës së Maqedonisë”, theksohet në njoftim.

Qyteti i Fierit është njëra nga zonat më të rrezikuara pas përmbytjeve, ndërsa problemet më të mëdha deri tash i ka shkaktuar dalja e lumit Vjosa nga shtrati.

Ekipet e Kosovës janë të përgatitura “sipas standardeve evropiane nga projekti “IPA Flood” dhe në kuadër të këtij programi është duke vepruar me ekipin homolog shqiptar”, theksoi Ministria e brendshme e Kosovës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale