Edita Tahiri: Kosova model i fuqizimit të grave në rajon

16:19 | 25 Mars 2017

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, mori pjesë në sesionin e fundit të Javës së Gruas për vitin 2017 me temën “Deshifrimi i Bashkimit Evropian” të organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar me mbështetjen e USAID.

Kjo ngjarje që tradicionalisht mbahet që disa vite me radhë ka për qëllim për të inkurajuar gratë, qofshin ato përfaqësuese të partive politike, të shoqërisë civile, apo pjesëmarrëse të bizneseve, që të përfshihen sa më shumë në pozita të ndryshme shoqërore dhe publike dhe për të përgatitur gratë lidere të së ardhmes.

Fjala e ministres Edita Tahiri është në vijim:

Të nderuara pjesëmarrëse
Zonja dhe zotërinj

Përfaqësues të nderuar të NDI-së ju faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në këtë ngjarje.

Kjo javë është një prej javëve më të rëndësishme në Kosovë për faktin se i bashkon gratë nga politika, biznesi, media, bota akademike dhe nga shoqëria civile dhe të cilat gjatë kësaj jave kanë pasur mundësi të debatojnë dhe reflektojnë për pozitën aktuale të grave në Kosovë dhe në botë dhe sfidat tona të përbashkëta për fuqizimin e grave.
Fuqizimi dhe barazia e grave në Kosovë dhe në botë ka bërë përparime, por ende sfidat tona mbeten të mëdha për të arritur qëllimin final, që gratë dhe burrat të janë të barabartë në vendimmarrje, aty ku përcaktohet ardhmëria, zhvillimi dhe përparimi. Për mendimin tim, neve na duhen analiza të sakta se ku jemi sot me barazinë për gratë, cilat janë sfidat dhe barrierat për neve dhe cilët janë rrugët për t’i përballuar këto sfida.

Kosova në periudhën e pas luftës, është bërë model në rajon për fuqizimin e grave. Kosova është e para, e cila ka gjetur formën e sjelljes së gruas në vendimmarrje, në Parlament në fillim dhe pastaj edhe në qeveri, sepse jemi të parët në rajon që kemi instaluar kuotën prej 30% që nga viti 2001. Këtë e kemi bërë sepse kemi pasur parasysh mentalitetin dhe kulturën, e cila nuk ka mundësuar natyrshëm, që gruaja të marrë rolin e saj që e meriton, por duhej mekanizma artificial, që të kemi mundësi pastaj që të punojmë në procesin filozofik të vetëdijesimit të shoqërisë, për të mbështetur gratë barabartë si burrat. Pse patëm sukses, ishte se ne gratë ishim një krah i fuqishëm i lëvizjes dhe i luftës tonë për pavarësi si dhe liri.

Gratë janë forca e re që po i vjen shoqërisë në shekullin njëzetë e një. Deri më tash bota ka punuar me kapacitete të përgjysmuara sepse në të nuk janë përfshirë gratë. Gratë janë një kapital strategjik që duhet të përfshihet në proceset e zhvillimit dhe demokracisë në botë dhe vendet tona.
Kosova e ka interes strategjik që në vend që të punojë me kapacitete të përgjysmuara duhet të punoj me kapacitete të plota dhe të investojë në fuqizimin e grave, është investim strategjik. Kemi gra të fuqishme, kemi shkollimin, emancipimin e tyre pra vetëm na mbetet që politikat nacionale të jenë më të hapura që gratë dhe burrat të jenë të barabartë kur vendosim për ardhmërinë tonë.

Ne jemi shtet i ri por tashmë i kemi bërë disa vite dhe gruaja mund të jep shumë kontribut në agjendën që e kemi përpara. E para, fuqizimi ekonomik i Kosovës është imperativ sepse fuqizimi ekonomik i Kosovës krijon vende të punës dhe krijon optimizmin e vendit tonë, në vend se rinia të shikon jashtë vendit, të shikojë ardhmërinë këtu në vendin e vet. Këtu gratë mund të bëjnë shumë sepse për nga analizat në botë gratë janë treguar qeveritare më pak të korruptuara, më shumë të përkushtuara. Vetëm t’ju përmendi se në Parlamentin tonë, krejt komisionet e vështira punët i udhëheqin gratë por në krye të parlamentit më pak ka gra, te Qeveria po shkojmë, ministra më shumë burra, sekretarë të përgjithshëm gati krejt burra, ndërsa në drejtoritë aty ku kryhet puna janë gratë. Pra, barazia është që në qoftë se gratë dëshmohen atëherë duhet të dalin në ballë barabartë me burrat. Nuk jam për ta kthyer matriarkatin, ju e dini që në një periudhë historike ka pasur matriarkat dhe kanë sunduar gratë, por jam edhe kundër patriarkatit. Pra t’i rrëzojmë muret dhe t’i nxjerrim gratë në pah në mënyrë që përveç ekonomisë dhe punësimit t’i japim më shumë qasje grave në drejtësi. Ne ende po kemi debatin e drejtave të grave për trashëgimi edhe pronë. Ne gratë e Kosovës sidomos kemi problemin e drejtësisë ndërkombëtare për ta njohur problemin e viktimave të luftës, viktimave të dhunimit gjatë luftës në Kosovë, këto janë gjëra konkrete që i kemi në agjendë.
U përmend demarkacioni, natyrisht që e kemi këtë problem dhe duhet të votohet nga parlamenti, sepse qytetarët kanë mbetur të izoluar. Tani vetëm këtë kusht e kemi, e kemi plotësuar kushtin për nivelin e luftës kundër korrupsionit për këtë fazë që është kërkuar nga Bashkimi Evropian. Pra vetëm vota e deputetëve e mundëson që nesër të lëvizim lirshëm nëpër Evropë. Këtë e bëri të qartë edhe znj. Mogherini, pra votoni demarkacionin jepni shansë qytetarëve që të udhëtojnë lirshëm në Evropë. Shikoni, ne qeveritaret kemi vizat, të gjithë deputetët kanë viza se kanë problem, por kush po pëson janë qytetarët tanë që nuk i kanë vizat.
E njëjta është edhe me angazhimin tonë për ushtrinë e Kosovës, 18 vjet pas luftës Kosovës i takon ushtria.

Ne kemi FSK-në por duhet ta bëjmë ushtrinë tonë, një ushtri moderne sipas standardeve të NATOS veçmas në këtë fazë kur agjenda gjeopolitike ka ndryshuar me dinamika të rrezikshme. Ne mposhtëm okupimin, ne bëmë luftë për liri dhe jo vetëm Kosova por të gjitha vendet e rajonit, ne mposhtëm komunizmin, mposhtëm ndikimin rus në Ballkan, e përcaktuam fatin me bllokun euroatlantik.

Por tani po shohim rreziqe që po vijnë nga Rusia me ambicie gjeopolitike ndaj rajonit të Ballkanit. Prandaj, ne gratë bashkë me burrat duhet t’i bëjmë të njohur botës se jemi euroatlantik me vizion dhe punojmë për reforma, ndërsa miqtë tanë perëndimor tani është koha që të na ndihmojnë më shumë dhe mos të lejojnë që humbësit nostalgjik si Rusia të na kthehen në rajon.

Pra, këto janë punët konkretë që i bëjmë dhe duhet t’i bëjmë sepse gratë nuk fuqizohen me numra, ato fuqizohen me kualitet dhe vizion. Prandaj, po ju them që qëndrueshmëria në fuqizimin e grave edhe do t’i mposhtë barrierat e këtij mentaliteti edhe do të jemi të pranishëm si partnerë, gra dhe burra bashkë, në përballimin e sfidave për zhvillim, prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët.

Shikoni, as bota nuk është më mirë në çështjet e barazisë gjinore. Këshilli i Sigurimit OKB sa rezoluta i bëri për fuqizimin e grave, është një numër i madh rezolutash, problemi është që mbesin në letra, ku është buxheti i OKB-së për zbatimin e rezolutave, ku është buxheti i Kosovës për linja buxhetore për fuqizimin e grave, për agjendën e barazisë gjinore, ku është buxheti i Bashkimit Evropian për të mbështetur fuqizimin e grave.

Nuk mjaftojnë vetëm fjalët, mbas fjalëve duhet të qëndrojë përkushtimi dhe përkushtimi dihet si bëhet, përveç dokumenteve strategjike duhet pasur buxhet financiar, sepse pa të nuk ecet përpara.
Po e mbyll duke thënë që unë kam shumë besim në fuqizimin e grave të Kosovës. Ne e treguam këtë edhe gjatë luftës, edhe gjatë lëvizjes paqësore edh në luftën e armatosur, ka pasur gra bile edhe në ballë si heroina jonë Xhevë Lladrovci apo vetë unë kam qenë e vetmja grua në udhëheqjen e LDK si lëvizje paqësore. Ka pasur plotë gra në luftën tonë për pavarësinë e Kosovës dhe fuqizimin e kombit shqiptar.

Ne kemi fuqinë, frymëzimin e pashë sot, e treguat me duartrokitje ju lumtë, të ecim përpara. E para ta kemi 30 përqindëshin e grave në Qeverinë e Kosovës të cilën nuk e kemi, ende vetëm në Parlament, e më vonë e bëjmë edhe 50 për qind./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara