Edi Rama për korrigjimin e kufijve: Mund të ketë pasoja në të ardhmen!

21:54 | 13 Shtatorë 2018

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur mbi deklaratat e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh.

Ndonëse nuk ka dhënë ndonjë përgjigje nëse do ta mbështesin apo jo këtë propozim, ai ka thënë se Shqipëria nuk mund ta luajë rolin e ‘mësuesit’ në këtë rast, ashtu siç nuk e ka bërë as në proceset e tjera.

“Shqipëria ka për qëllim të mbështesë fuqimisht Kosovën, ka detyrën të pres dhe të ndjek me vëmendje se çfarë përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovën apo për çka bien dakord. Ne s’mund të bëjmë tutorin e Kosovës, s’e kam pëlqyer kur e kanë bërë të tjerët dhe për më tepër është çështje ku luhet fati jo i vet Kosovës, por edhe i kombit shqiptar për shumë vite e që mund të ketë pasoja”, është shprehur Rama në Top Channel.

Ai tutje ka shtuar se shkëmbimi dhe korrigjimi i kufijve s’mund të jetë një platformë kombëtare, për më tepër kjo ide mund të sjellë edhe pasoja në të ardhmen, përcjellë Indeksonline.

“Nëse jemi ose jo pro shkëmbimit dhe korrigjimit të kufijve mund të jetë ide për të nisur një dialog të brendshëm në Kosovë dhe s’mund të jetë një platformë kombëtare dhe për më tepër një arsye për tu ndarë me turra vrap që mund t’i faturojmë të ardhmes gabime. Kjo e imja s’është indiferencë e as dakord me këtë ide, por as kundër”.

Rama ka treguar se ka folur për këtë çështje edhe më partnerët ndërkombëtar, por edhe me politikanët kosovarë.

“Kam folur me një pjesë të madhe me ata të cilët kanë dashur të flasin me mua për këtë çështje, qofshin partnerët tanë ndërkombëtar, por edhe politikanët kosovarë. Unë kam ndjesinë e fortë që jemi para një shansi historik që duhet të kuptojmë me vëmendje se si duhet t’i qasemi. Të hysh në debatin publik për korrigjim apo jo korrigjim është mungesë pjekurie, flas gjithmonë për ata që kanë peshë politike. Reduktimi i debatit në këtë pikë është banalitet sepse ne duhet të shohim më larg se sa kjo ide, por dialogu me Serbinë është një copë e madhe politike që ne duhet të jemi në gjendje ta përtypim dhe ta tresim mirë me unitet dhe dinjitet”.

Kryeministri shqiptar ndër të tjera ka folur edhe për bashkimin kombëtar me Kosovën, duke thënë se nuk sheh ndonjë seriozitet nga udhëheqësit kosovarë në lidhje me këtë.

“Kur flasim për bashkimin kombëtar flasim si një bashkim në procesin e integrimit evropian, dhe në këtë moment jemi përpara si vëllazëri shqiptare, një situatë që duhet të përgatisim një dialog, duhet bërë një diskutim i brendshëm strategjik. Nuk po e shoh që këtë po e bëjnë udhëheqësit kosovarë, të ulen dhe të bëjnë diskutim si burra të kuvendit dhe jo hidh e prit në televizione, ikë e eja në zyre e me prononcime”.

Shpërndaje në rrjete sociale