Edhe një muaj nuk arrijnë vaksinat kundër gripit sezonal

08:04 | 20 Tetor 2020

Në Kosovë janë siguruar 165 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal. Por, ende këto vaksina nuk kanë ardhur në Kosovë.

Ani pse janë blerë që një kohë të gjatë nga Ministria e Shëndetësisë.

E, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti për arbresh.info thotë se, janë informuar nga UNICEF që do të vijnë më vonë vaksinat.

Sipas tij, në mesë të muajit nëntor do të vijnë vaksinat, dhe do të fillojë vaksinimi.

“Në mesë të nëntorit vijnë vaksinat, dhe fillon vaksinimi. Jemi informuar prej UNICEF-it që më vonë vijnë vaksinat. Ndërsa prokurimin e ka kryer UNICEF-i në nivel ndërkombëtar”, ka thënë Hoti.

Por, në Qendrat e Mjekësisë Familjare vazhdon të ekziston shqetësimi se nuk do të furnizohen me kohë.

Sami Uka, kryeshef i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, tha se, vonimi i vaksinës do ta vështirësojë punën në QKMF, pasi që numri i të infektuarve me COVID-19 po shënon rritje.

“Do ta vështirësojë tepër punën tonë dhe ky vërtet është lajmi më i keq që mund ta merrnim këto ditë kur edhe numri i të infektuarve me COVID-19 po shënon rritje”, thotë Uka për arbresh.info

Ndryshe, Vaksinat kundër gripit sezonal që tashmë i ka marrë Qeveria e Kosovës, janë siguruar përmes Agjencisë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara UNICEF, derisa Ministria e Shëndetësisë i ka paguar ato.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, gjatë vitit 2019 kanë qenë 16,000 raste të regjistruara me grip sezonal.
Viti 2018, ishte përmbyllur me 11 persona të vdekur nga gripi sezonal, ku autoritetet kishin shpallur atëkohë gjendjen epidemike të gripit. Derisa për vitin 2019 nuk kanë të dhëna për vdekje të personave me grip sezonal./A.Zeka/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara