Dorëzohen katër ankesa në Apel për aktivistët e dënuar të VV-së

17:01 | 29 Dhjetor 2017

Mbrojtja e katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Atdhe Arifit, Egzon Halitit, Adea Batushës dhe Frashër Krasnqit, ka dorëzuar në Gjykatën e Apelit katër ankesa.

Në një komunikate të VV-së thuhet se dënimi i katër aktivistëve  ka qenë kryekëput politik dhe i padrejtë dhe sipas tyre, shkalla e dytë ka mundësi që ta korigjojë këtë gabim të drejtësisë, shkruan arbresh.info.

Komunikata e plotë e VV-së:

Dorëzohen ankesat për rastin e katër aktivistëve të dënuar

Avokatët mbrojtës kanë dorëzuar sot katër ankesa në Gjykatën e Apelit për aktivistët e dënuar: Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Frashër Krasniqi.

Dënimi i tyre është kryekëput politik dhe i padrejtë dhe shkalla e dytë e ka mundësinë që ta korrigjojë këtë gabim të drejtësisë. Përgjigja në këto katër ankesa është shanci i dëshmisë se një pjesë e gjyqësorit të Kosovës ende mund të veprojë e pavarur.

Pa prova e pa fakte, aktivistët tanë janë të privuar nga liria që prej fundi gushtit të vitit 2016. Pos muajve të paraburgimit dhe të arrestit shtëpiak, ata kanë 73 ditë që janë arrestuar dhe po vuajnë padrejtësinë.

Ne kërkojmë liri për katër aktivistët e dënuar. Kërkojmë fundin e këtij gjyqi të montuar. Kërkojmë vënie të drejtësisë për rastin e aktivistit Astrit Dehari.

Liri për aktivistët.

Drejtësi për Astritin.

Lajmet më të lexuara