Djali i Ismet Beqirit angazhohet për praktikë në BQK

10:36 | 20 Gusht 2019

Në vazhdën e punësimeve politike në Bankën Qendrore të Kosovës, në këtë institucion është angazhuar edhe djali i dytë i Sekretarit të Përgjithshëm të LDK-së, Ismet Beqirit, Alban Beqiri.

Buletini Ekonomik merr vesh se Beqiri në BQK është punësuar si i brendshëm, mirëpo këtë e kanë mohuar nga BQK-ja.

Ata kanë thënë se Beqiri në BQK ka kryer vetëm një praktikë 3 mujore, të cilën sipas tyre e ka përfunduar në muajin maj të këtij viti.

“Alban Beqiri nuk është i punësuar në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mirëpo ka qenë pjesë e grupit të studentëve që kanë vijuar programin e praktikës në BQK. Studentët, për programin e praktikës i nënshtrohen procesit të rregullt të përzgjedhjes në bazë të kritereve të publikuara në shpalljen për programin e praktikës”, ka thënë zyrtari për informim në BQK, Kushtrim Ahmeti.

Megjithatë, nga Zyra për Informim në BQK nuk kanë qenë në gjendje ta dëshmojnë me fakte se Beqiri në BQK e ka kryer vetëm praktikën.

Buletini Ekonomik ka kontaktuar edhe me vet Ismet Beqirin, i cili ka pranuar se Alban Beqiri është djali i tij dhe ka vijuar praktikën në këtë institucion, mirëpo ka mohuar se djali i tij është i punësuar në Bankën Qendrore të Kosovës, apo në ndonjë institucion tjetër.

“Alban Beqiri është djali im. Është absolvent në Fakultetin Juridik. Ai nuk është i punësuar në BQK. Ka mbajtur një praktikë 3 mujore si shumëkush tjetër nëpër Institucione. Atë e ka përfunduar në qershor(prill,maj,qershor). Pra, nuk është e vërtetë që është i punësuar në BQK apo dikund tjetër. Puna praktike,është një e drejtë e çdokujt për të aplikuar dhe për të bërë një praktikë të tillë me afat të kufizuar”, ka thënë Beqiri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara