“Diasporës nuk po i jepet hapësirë në politikbërje”

21:10 | 13 Shtator 2019

Pavarësisht rolit të madh ekonomik, diaspora nuk e ka hapësirën që do të duhej në vendimmarrjen politike në Kosovë. Kështu është shprehur Bekim Brestovci, kandidat për deputet nga diaspora.

Sipas tij, interesimi ka qenë mjaft i madh, por që nuk ka mundur të realizohet deri më sot.

Përkundër që konsiderohet si një ndër shtyllat e ekonomisë së vendit, diaspora nuk ka arritur të gjej hapësirën e duhur në vendimmarrje.

Edhe pse është në listë për deputet, Bekim Brestovci thotë se mërgatës nuk i është dhënë hapësirë shumë në politik bërje.

“Duke njohur potencialin e diasporës, mendoj që është domosdoshmëri që të krijojmë resurse të mjaftueshme për qasjen e diasporës në politik bërje”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Bekim Brestovci.

Ai ka thënë se qëllimi i konceptit të tij politik është krijimi i vendeve për diasporën në organe të ndryshme të shtetit.

“Koncepti im politik në këtë sens konsiston në faktin që ne në Nismën Socialdemokrate do të krijojmë një departament të veçantë për diasporën ku më pas do të kemi vende të veçanta të rezervuara për diasporën në NISMA, duke filluar nga Këshilli Qendror, pastaj në Kryesi apo më pas në lista zgjedhore apo sektorë të qeverisë”, deklaroi Bekim Brestovci.

Ndërsa Artan Murati nga KDI-ja, ka thënë se mërgimtarët që jetojnë jashtë shtetit duhet të kenë persona të cilët do ta ngrinin zërin për çështjen e diasporës, e që nuk po ndodh momentalisht.

“Të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që jetojnë jashtë shtetit duhet të kenë përfaqësues që do ta ngrinin zërin edhe për çështje të diasporës. Shpesh herë ka pasur ankesa nga më të ndryshme e që nuk janë marrë parasysh nga institucionet e vendit. Andaj konsideroj se subjektet politike duhet të garantojnë edhe përfshirjen e personave të diasporës dhe t’i integrojmë plotësisht e të mos llogarisim nga ta vetëm në karakterin ekonomik”, deklaroi Artan Murati.

Në zgjedhjet e vitit 2017, nga diaspora janë pranuar vetëm 5200 fletëvotime.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara