Deputeti i VV-së: Nëse OVL e UÇK-së po proteston kundër Speciales, le të shkojë para zyrës së PDK-së

00:37 | 9 Korrik 2020

Pas njoftimit të presidentit Hashim Thaçi se të hënën do të intervistohet nga Prokuroria Speciale në Hagë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha ka thënë se duhet të pritet që drejtësia ta thotë fjalën e fundit.

“Mendoj se Gjykata është e Kosovës. Hashim Thaçi e di këtë se e ka shtyrë vetë përpara, kështu që nuk është ndonjë çudi për neve. Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje dihet që ka qenë kundër. Drejtësia duhet ta thotë fjalën e fundit dhe ne duhet të presim sikur në të gjitha proceset e tjera. Nuk mund të paragjykojmë për rastet në drejtësi”.

Ai në Edicionin Special në Klan Kosova ka thënë se OVL e UÇK-së mund të protestojë, sepse këtë ia lejon Kushtetuta. Por, sipas tij, nëse kjo protestë e paralajmëruar është kundër Gjykatës Speciale, atëherë duhet të protestojnë diku tjetër.

“Është e drejtë kushtetuese e tyre që të protestojnë, por duhet t’i përmbahen patjetër masave dhe rekomandimeve të IKSHPK-së. Nuk po e di arsyen e protestës, por nëse do të dalin të protestojnë kundër Gjykatës Speciale duhet të protestojnë para zyrës së PDK-së”.

Kur ka folur për dialogun, Basha ka thënë se bisedimet me Serbinë nuk duhet të jenë prioritet për Qeverinë e Kosovës në kohën e krizës së pandemisë.

Sipas tij, Qeveria Hoti nuk ka as legjitimitet dhe as legalitet ta përfaqësojë Kosovën në procesin e dialogut.

“Kemi krizën më të madhe të shëndetit publik prej kur ekzistojmë si shtet. Është shumë më prioritet të fokusohemi në shëndetin publik sesa në bisedime. Bisedimet janë të rëndësishme, por nuk janë prioritet në kohë pandemie. Kjo krizë e shëndetit publik po shkakton krizë të madhe ekonomike – që është pasojë e keqmenaxhimit. Prioritet duhet të jetë Kosova dhe jo bisedimet me Serbinë”.

“Në ndërkohë, kjo qeveri ka mungesë legjitimiteti dhe legaliteti për të biseduar atje. Legjitimiteti i mungon, sepse sondazhet po tregojnë që shumica e popullit nuk e përkrahin këtë qeveri. Kur flasim për legalitetin e dimë se janë dy vota të kontestuara për votimin e kësaj qeverie. Deputeti Etem Arifi ka vjedhur 25,000 euro të këtij shteti, kinse kanë shkuar për komunitete – ato para i ka vjedhur për vete në cilësi të deputetit. Etem Arifi është ‘hajn’, këtë nuk e them unë, por e ka vërtetuar Gjykata. Vota e Haxhi Shalës është e kontestuar, sepse e dimë rolin e presidentit që ka ushtruar presion”.

“Avdullah Hoti po shkon me Listën Serbe. Po shkon me Goran Rakiqin kundër Aleksandar Vuçiqit. E dimë fuqinë politike, sepse nuk po ka vota në Kuvend që ta kalojë një ligj”.

Deputeti i Vetëvendosjes ka thënë se qytetarët nuk i besojnë Avdullah Hotit, derisa ka shtuar se ai nuk ka legjitimitet as në partinë e tij.

“Avdullah Hotit nuk i besojnë qytetarët, edhe vetë LDK-ja e ka votuar si i pesti në partinë e tij. Para zgjedhjeve kanë qenë kandidatë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Askush nuk e ka menduar kur e kanë garuar se do të përfundojë me Avdullah Hotin. Legjitimitetin nuk e ka as në partinë e tij, ndërkohë që për aftësitë e tij flet vetë qeverisja”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara