Deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta kenë edhe një mundësi për ta shfuqizuar Specialen

23:20 | 17 Gusht 2019

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, katër vite me parë, më 3 gusht 2015 kanë votuar ligjin që i hapte rrugë krijimit të Gjykatës Speciale e cila pretendon se po trajton krimet e supozuara të kryera nga UÇK-ja.

Ishin 82 vota pro, 5 kundër dhe një abstenim, që i hapën rrugë Qeverisë t’i dërgojë edhe dy projektligje të tjera për Specialen.

Por, as pas katër viteve ky institucion ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë, ani pse filloi intervistimet e të dyshuarave dhe dëshmitarëve, në mesin e të cilëve janë kryeministri në largim, Ramush Haradinaj dhe disa nga komandantët tjerë të UÇK-së.

Edhe pse mandati i kësaj gjykate me ligj është pesë vjet, në OVL-UÇK thonë se veteranët janë optimistë se në rast se do të ketë zgjedhje të reja, atëherë, një përbërje e re e Kuvendit do të votojë shfuqizimin e Speciales.

Kurse, Avokati Tomë Gashi, i cili është i akredituar për të përfaqësuar raste pranë Gjykatës Speciale ka thënë për lajmi.net se ardhja në pushtet e Lëvizjes Vetëvendosje do të mund ta shfuqizonte Gjykatën Speciale, pasi sipas tij kjo parti nuk votoi pro krijimit të saj.

Ndërsa shton se asnjë parti tjetër në pushtet nuk do ta ketë fuqinë ta ndërpres punën e Speciales pasi që vetë e kanë votuar.

“Ajo mundet eventualisht të vije në shprehje vetëm nëse Lëvizja Vetëvendosje vjen në pushtet për shkak se vetë Albin Kurti në seancën e Parlamentit të Republikës së Kosovës me 3 gusht të viti 2015 ka deklaruar se është interesi edhe i atyre të tjerëve që e kanë sponsorizuar Gjykatën Speciale që kanë qenë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, mirëpo nga LDK-ja nuk supozohet që dikush të akuzohet nga Gjykata Speciale, si dhe partitë e tjera. Vetëm nëse Vetëvendosje vjen në pushtet ajo nuk do t’i dorëzojë ish pjesëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale, mirëpo kjo shkon para se të votohet për Gjykatën Speciale dhe pas asaj gjithçka ka ndryshuar. Kështu që nëse në pushtet vije një parti kombëtare, siç është Lëvizja Vetëvendosje, e cila as që ka qenë në sallën e Kuvendit kur është votuar kjo gjykatë, gjasat janë që të ndërpritet puna e Speciales dhe të mos i vazhdohet mandati pasi që do të kalonin pesë vite nga themelimi i saj dhe do të kalonin edhe me tepër se tri vite nga funksionalizmi i saj. Përndryshe çdo parti tjetër në pushtet nuk do ta ketë fuqinë që ta ndërpret punën e Gjykatës Speciale, sepse vet e kanë votuar”, ka thënë Gashi.

Tutje Gashi ka thënë se kjo gjykatë do të mund ta vazhdonte punën në Kosovë dhe se lëndët që janë duke u trajtuar atje do të mund të transferoheshin këtu.

“Në aspektet praktike të asaj së çfarë do të ndodh me Gjykatën Speciale nëse nxjerrët ligji për ndërprerjen e punës së Speciales ka dy mënyra logjike dhe juridike. Nëse deputetët kërkojnë që Gjykata Speciale kompetencat e saja që i ka në Holandë, pra në Hagë, të gjitha ato të kthehen faktikisht dhe që kjo gjykatë më presion ndoshta ndërkombëtarë të vazhdojë punën e vetë në Kosovë. Atëherë me siguri që Lëvizja Vetëvendosje, por edhe çdo person i cili është shqiptarë nuk do të lejoj që të gjykohen vetëm ish-pjesëtarët e UÇK-së, por do të riformohet një Gjykatë Speciale në territorin e Kosovës për të gjithë ata që kanë kryer krime lufte në Kosovë, pa marr parasysh etninë. Ndërsa lëndët që do të jenë atje mund të bëhet një marrëveshje që të transferohen dhe të gjykohen këtu në Kosovë”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se beson që deputetët e legjislaturës së ardhshme nuk do t’ia vazhdojnë mandatin Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se organizata e OVL-UÇK-së do të provoj çdo metodë që deputetët të mos ia vazhdojnë mandatin kësaj gjykate.

“Unë mendoj që Gjykata Speciale në vitin 2020 do të shfuqizohet. Besoj që të gjithë këta deputet të korruptuar, hajna të pafytyrë, që e kanë tradhtuar vijën kombëtare do të vetëdijesohen dhe në 2020 të mos ia vazhdojnë mandatin e Gjykatës Speciale dhe unë besoj që aktvendimi do të shtyhet. Organizata e veteranëve do të provojë çdo metodë që këta deputet, nëse vijnë prapë, këta që kanë qenë, por unë besoj që edhe populli do t’ua jap çmimin këtyre gjatë zgjedhjeve, të mos ia vazhdojnë mandatin kësaj gjykate”, ka thënë Haradinaj.

Formimit të Gjykatës Speciale i parapriu një rezolutë në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e senatorit zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara