Deficiti tregtar shënon rritje me 11.6%

14:54 | 3 Qershor 2019

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për vitin 2018, të cilat tregojnë për një deficit tregtar në vlerë 2.979 milionë euro ose 11.6% më i lartë krahasuar me vitin 2017.

Totali i eksporteve në këtë vit ishte 367.5 milionë euro, ndërsa totali i importeve ishte 3.347 milionë euro. Eksporti mbulon importin për vetëm 11 për qind.

Duke krahasuar të dhënat e eksporteve për mallrat kosovare gjatë viti 2018 me ato të vitit 2017, shifrat tregojnë se ka një rënie vjetore prej 2.8%, ku tregon se Kosova vazhdon të ketë bilancin negativ tregtare.

Eksportet sipas sektorëve në këtë vit kishin rritje në këto grupe: drunj dhe artikuj prej druri, në vlerë rreth 5.6 milionë euro, krahasuar me 4.4 milionë euro në vitin 2017, ose 1.5% e eksporteve të përgjithshme, me rritje prej 28.5%, artikuj të ndryshëm të prodhuar në vlerë rreth 13.1 milionë euro, krahasuar me 10.3 milionë euro në vitin 2017, ose 3.6% e eksporteve të përgjithshme me rritje prej 26.8%, etj.

Gjatët kësaj periudhe, rënie të eksporteve kishte në këto grupe: produktet minerale në vlerë rreth 51.2 milionë euro, krahasuar me 72.6 milionë euro në vitin 2017, ose 14 % e eksporteve të përgjithshme me rënie prej 29.5%; veshmbathjet e këmbëve (këpucë dhe pjesët e artikujve të tillë) në vlerë rreth 2 milionë euro, krahasuar me 2.7 milionë euro në vitin 2017, ose 0.6% e eksporteve të përgjithshme me rënie prej -24.5%, lëkurë dhe artikuj prej saj në vlerë rreth 10.9 milionë euro, krahasuar me 11.8 milionë në 2017 ose 3% e eksporteve të përgjithshme me rënie prej -7.6% etj.

Një trend pozitiv të rritjes së eksporteve nga 2008-2018, kanë pasur këto grupe të sektorëve: ushqime të përgatitura, pije, pije alkoolike dhe duhan nga 10.5 milionë euro në 39 milionë euro, etj.

Të dhënat e tregtisë së mallrave për importin e Kosovës, në vitin 2018, kanë shënuar një rritje vjetore rreth 9.8%, duke krahasuar me vitin paraprak 2017.

Rritje të importet sipas sektorëve janë vërejtur në këto grupe: metale bazë dhe artikuj prej tyre në vlerë rreth 372.1 milionë euro, krahasuar me 307.1 milionë euro në vitin 2017, ose 11.1% e importeve të përgjithshme me rritje prej 21.2%; makineri, pajisje mekanike dhe elektrike në vlerë rreth 435.1 milionë euro, krahasuar me 361,4 milionë në 2017, ose 13% e importeve të përgjithshme me rritje prej 20.4%, etj.

Gjatë kësaj periudhe ka rënie të importeve në këto grupe: drunj dhe artikuj nga druri në vlerë rreth 73.5 milionë euro, krahasuar me 77.1 milionë në 2017 ose 2.2% e importeve të përgjithshme me rënie prej -4.8%; yndyrat në vlerë rreth 27.9 milionë euro, krahasuar me 28.3 milionë në 2017 ose 0.8% e importeve të përgjithshme me rënie prej -1.5%.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 110.8 milionë euro, ose rreth 30.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 17.7%.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermani (6.8%), Holanda (4.0%), Sllovenia (3.7%) dhe Britania e Madhe (2.7%).

Sipas kapitujve, pjesëmarrje më të lartë vendet e BE-së kanë te këto grupe: plastikë dhe artikujt prej saj me 20.9 milionë Euro, ose rreth 18.9%; xeheroret, ngjyrat dhe hiri me 16.4 milionë Euro, ose rreth 14.8%; lëndët djegëse minerale dhe vajrat minerale me 14.1 milionë euro, ose rreth 12.8%.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 1.457.3 milionë euro, ose 43.5% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.1%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga Gjermania (11.8%), Italia (6.1%), Greqia (3.7%), Sllovenia (2.8%) dhe Polonia (2.6%).

Vendet e BE-së mbulojnë pjesën më të madhe të importeve të përgjithshme të Kosovës. Importet me pjesëmarrja më të lartë ishin te këta kapituj: lëndët djegëse minerale dhe vajrat minerale dhe produktet e destinimit të tyre, 246.7 milionë euro ose rreth 16.9%; mjetet e transportit të ndryshëm, 236.6 milionë euro ose rreth 16.2%, etj.

Ndërkaq, gjatë vitit 2018, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 173.5 milionë euro ose 47.2% të eksporteve të përgjithshme, ku kishte një rënie prej -5.2%. Partnerë kryesorë për eksport në vendet e CEFTA-s janë Shqipëria (18.6%), Maqedonia (11.9%), Serbia (9.1%) dhe Mali i Zi (5.3%).

Sipas kapitujve, pjesëmarrje më të lartë vendet e CEFTA-së kanë te këto grupe: artikujt prej hekuri dhe çeliku, 26.9 milionë euro, ose rreth 15.5%; hekuri dhe çeliku, 24.9 milionë euro ose rreth 14.4%; pijet, pijet alkoolike dhe uthulla 20.9 milionë euro ose rreth 12.1%, etj.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në vitin 2018, arritën në 853.5 milionë euro ose 25.5% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej -0.3%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia (11.6%), Shqipëria (6.2%) dhe Maqedonia (5.1%).

Importet me pjesëmarrja më të lartë ishin te këta kapitujt: hekuri dhe çeliku, 162.3 milionë euro, ose rreth 19.0%; lëndët djegëse minerale, vajrat minerale dhe produktet e destinimit të tyre, 144.5 milionë euro ose rreth 16.9%, etj.

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 83.1 milionë euro ose 22.6%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport janë India (9.9%) dhe Zvicra (7.8%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 1 036.1 milionë euro ose 31%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup janë Turqia me 10.1% dhe Kina me 9.3%. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara