Cila është oferta konkrete që Kosova i bëri Volkswagenit?

22:44 | 16 Prill 2019

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i ka dërguar një letër zyrtare bordit menaxhues të Volkswagenit ku e ka prezantuar ofertën dhe kushtet që ofron Kosova për investim pasi kjo kompani po planifikon investime në Evropën Juglindore.

Durim Limaj, shefi i kabinetit të Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë [Endrit Shala], ka treguar më në detaje lidhur me ofertën që i është bërë Volkswagenit.

“Është obligim i institucioneve të Kosovës që të bëjmë sa më shumë që është e mundur që të sjellim sa më shumë investitorë, sidomos investitorë që kanë renome botërore”.

“Një investim i tillë do të ishte më shumë se i mirëseardhur në Kosovë. Një investim i tillë do të ulte rrezikshmërinë, do të ndikonte direkt në uljen e interesave bankare dhe përmirësimin e imazhit të Republikës tonë”.

“Nuk mund ta dimë se a do të ndodhë ose jo, por ne i kemi dërguar zyrtarisht një letër presidentit të bordit të kompanisë Volkswagen në Gjermani”.

“Në këtë letër është vetëm një pjesë që e shpjegon në pika të shkurtra ofertën tonë, por para se të vijmë deri te kjo letër ne e kemi bërë një hulumtim të industrisë të automobilave në Kosovë dhe kjo është e përfshirë në ofertë”.

Por, çfarë saktësisht i ofron Kosova gjigantit gjerman të prodhimit të automjeteve?

“Ata kanë kërkuar 40 hektarë tokë, ne ju ofrojmë 100 hektarë tokë. Ne ju ofrojmë shkolla trajnuese, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Punës dhe komunat varësisht ku ata duan të investojnë, që ta subvenciojmë trajnimin e punëtorëve”.

“Ne ju ofrojmë lokacionin e vendit tonë që është lokacion jashtëzakonisht me interes për investitorët e huaj. Kosova gjendet katër orë larg portit të Selanikut, dy orë e gjysmë larg portit të Durrësit si dhe tetë orë larg qendrës së Evropës, Vjenës”.

Limaj në Info Magazine të Klan Kosovës ka folur për përparësitë që Kosova i ka në raport me shtetet e rajonit që mund të jenë konkurrente potenciale për të përfituar nga investimet e Volkswagenit.

“Popullsia në shtetet e rajonit nuk krahasohet me popullsinë e vendit tonë – arma jonë kryesore është rinia dhe këtë e kemi paraqitur në ofertën tonë”.

“Ne e kemi bërë një hulumtim për vendet e rajonit ku i kemi marrë të dhënat e importit të veturave në vendet e rajonit”.

“Aty duket qartë që Maqedonia dhe Shqipëria janë importuesë të markës ‘Mercedes’, Serbia është prodhues i markës ‘Fiat” derisa në Kosovë në vitin 2018, sipas statistikave zyrtare, 60 % të veturave të importuara kanë qenë të markës ‘Volkswagen’”.

Ai ka deklaruar se situata politike nuk duhet të ndikojë drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit.

“Ne kemi pasë dëshira edhe më herët, por kjo është hera e parë që është marrë një hap konkret”.

“Ne kemi probleme me ligjin, kemi probleme me Serbinë, mirëpo fatkeqësisht të gjitha këto probleme na e kanë marrë shumicën e vëmendjes dhe energjisë prandaj është momenti i fundit që duhet të fokusohemi në ekonomi”.

“Problemet politike janë aty dhe personat adekuatë po merren me to ndërsa ata që janë të thirrur për ekonomi duhet të fokusohen krejtësisht në ekonomi dhe t’i tregojnë argumentet pse investitorët e huaj duhet të vijnë në Kosovë”.

Limaj ka përmendur disa prej arsyeve kryesore pse një investitor i huaj duhet të vijë në Kosovë.

“Fuqia punëtore është më e reja në rajon, është më mirë e edukuara dhe që ka njohuri të gjuhës angleze dhe njohuri kompjuterike më së shumti”.

“Ne kemi momentalisht kompani në Kosovë që prodhojnë pjesë për kompani të ndryshme të mëdha. Në Prizren është një kompani jashtëzakonisht e mirë që prodhon pjesë për ‘Lamborghini’ – ata prodhojnë maska të karbonit që bëhen me porosi”.

“Ne si popull mësojmë shpejt dhe besoj shumë që nëse do të na jepej një mundësi e tillë do t’ia dilnim”.

“Për më tëpër, kostoja punëtore është më e lira në rajon. Maqedonia e ka 491 euro, Bullgaria e ka 600 euro, Serbia e ka 640 euro, Hungaria e ka 800 euro, Kroacia e ka mbi 1000 euro derisa te ne rroga mesatare është 350 euro dhe kjo luan një rol”.

“Këto janë kompani që padyshim duan ta maksimizojnë profitin e tyre dhe të gjitha numrat që i kemi futur në ofertë luajnë një rol të caktuar”.

“Sa i përket kostos së transportit, lokacioni i Kosovës është jashtëzakonisht i mirë. Kosova ka shumë afër dy porte të rëndësishme ku i japim qasje investitorit në tregje tejoqeanike”.

“Po ashtu, jemi shumë afër Vjenës, nëse investitori do të tentonte të eksportonte nga këtu në Evropë”.

Shefi i kabinetit të Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë ka thënë se të gjithë ata që kanë interes të investojnë në Kosovë trajtohen shumë mirë.

“Ajo çfarë ne duhet të vazhdojmë të bëjmë është që të punojmë sa më shumë që të përmirësojmë klimën e të bërit biznes dhe që t’iu ofrojmë mundësi dhe lehtësira të mëtutjeshme investitorëve të huaj”.

“Jemi shtet relativisht i ri dhe çdo gjë që e bëjmë e bëjmë për herë të parë – ne jemi duke krijuar praktika. Po punojmë çdo ditë që të marrim praktika më të mira nga vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian”.

Shpërndaje në rrjete sociale