Çelja e negociatave për Shqipërinë po konsiderohet si parahyrje për heqjen e vizave për Kosovën

17:31 | 24 Mars 2020

Bashkimi Evropian i ka dhënë dritën e gjelbër hapjes së negociatave për anëtarësim në këtë union Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Njohësi i rrethanave politike Gazmir Raci e ka quajtur një lajm të mirë për tërë rajonin, si dhe mesazh të qartë për Rusinë.

“Ky është lajm i mirë për gjithë rajonin. Mesazh i qartë për Rusinë e cila në mënyrë shume agresive ju ka qasur rajonit tonë. Ballkani Perëndimor, hiq Serbinë që ka dilema, është tërësisht i orientuar për integrime euro-atlantike.  Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kanë merituar edhe më herët çeljen e negociatave, por më mirë vonë se asnjëherë”, tha Raci për arbresh.info.

Tutje analisti pret madje edhe vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, ani pse në këtë kohë pandemie thuajse të gjitha shtetet kanë mbyllur kufijtë.

“Tash pritet vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ndoshta tingëllon pak ironike në kohën kur e gjithë Evropa është izoluar dhe është suspenduar qarkullimi i lirë. Vonesat e vizave janë edhe për fajin e kryeneçësisë së politikanëve kosovar. Kjo po manifestohet edhe këto ditë dhe mund të ketë pasoja fatale për qytetarët”, u shpreh ai.

Raci foli edhe për qeverinë e cila është pranë shpërbërjes për shkak të mocionit të mosbesimit nga partneri i koalicionit, LDK.

“Kosovës i duhet qeveri e shpëtimit kombëtar e cila do ti bënte ballë virusit Covid 19 si dhe do lufton çfarëdo mundësie që në tryezën e dialogut me Serbinë të rihapen prapë temat e rrezikshme të ndarjes etnike të Kosovës. Sistemi kushtetues i Kosovës nuk duhet të preket në çfarëdo forme diskutimesh në fazën finale të dialogut. Dialogu është kusht për ecjen e Kosovës drejt integrimit në BE sepse e kemi obligim me rastin e nënshkrimit të MSA-së e poashtu edhe Serbia në kapitullin 35 që u pat vendos me insistimin e Kancelares Merkel dhe Gjermanisë”, përfundoi Raci.

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të nisin bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë. Në këtë mënyrë BE tregon, se vlerëson përpjekjet e kryera nga Shqipëria, para së gjithash në kuadër të reformës në drejtësi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara