Bytyqi: Do t’i përkrahim talentet e të gjitha fushave, veçanërisht ata të matematikës

15:09 | 26 Maj 2018

Pesëdhjetë e pesë nxënës të klasave të ndryshme nga mbarë Kosova kanë marrë çmime pasi që ishin pjesë e garës Ndërkombëtare të Matematikës “Kangaroo”.

Ata që kaluan 65% janë përfitues të shërbimeve dhe aktiviteteve përkrahëse për zhvillimin e talentit të tyre në fushën e matematikës, posaçërisht për ofrimin e kurseve të avancuara të matematikës nga profesionistët e fushës, në përputhje me moshën dhe talentin e tyre në matematikë, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqyri Bytyqi, me këtë rast premtoi mbështetje për talentet e të gjitha fusha e veçanërisht për ata të matematikës.

“Nuk është vetëm përgjegjësi e një instituti të caktuar që të merret me talent në të gjitha fushat e veçanërisht në fushën e arsimit, por është në përgjegjësi edhe të instituteve të tjera dhe ministrisë së Arsimit”.

“Këta janë krenaria jo vetëm e prindërve, por e gjithë shoqërisë tanë. Ne  do të bëjmë maksimumin që në këto fusha e në fushat e tjera do të bëjmë përpjekje që t’i përkrahim”.

Jusuf Thaçi, drejtor ekzektutiv i Institutit Atomi tha se gara “Kangaroo” ka vënën pah dy gjëra. E para sipas tij, është se në Kosovë ka talent të matematikës dhe e dyta se në sistemin e arsimit ka të meta sidomos sa i përket fushës së matematikës.

Ai tha se talentet e kësaj fushe duhet të angazhohen vet në zhvillimin e tyre.

“Në Kosovë kemi talente të matematikës të krahasueshëm me bashkëmoshatarët e tyre kudo në botë, e dyta që na ka tregu është që kemi të meta shumë të mëdha në fushën e arsimit posaçërisht në fushën e matematikës sepse kemi mesatare shukë të ulët”.

“Unë mendoj që pavarësisht kësaj prindërit dhe nxënësit pavarësisht se mungon përkrahja e duhur duhet të përkushtoheni që të investoni vet në talentin e këtyre nxënësve ”

Kryetarin e shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, Nuhi Lohaj  tha se gara e matematikës është e rëndësisë së veçantë.

Ai tha se pret që këta nxënës në të ardhmen të udhëheqin fushat e ndryshme të shkencës.

“Pa një zhvillim dhe avancim të matematikës është e paimagjinueshme të presim një zhvillim të shkencave teknike”.

Instituti ATOMI me autorizimin e Asociacionit Kangourou Sans Frontières (AKSF) e ka organizuar Garën Ndërkombëtare të Matematikës Kangaroo në Kosovë – Math Kangaroo Contest – Kosovo (MKC-K).

Në Garën “Kangaro”, të mbajtur më 17 mars  kanë marrë pjesë mbi 5000 nxënës./EO/

Lajmet më të lexuara