Busti i Albrightit nxit reagime, autori kritikon shijen e masës

10:18 | 13 Qershor 2019

Dy dekadat e çlirimit të Kosovës midis të tjerash janë festuar edhe me përurimin e bustit të ish-sekretares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright në Prishtinë. Pikërisht sheshi që mban emrin e saj, është bërë nikoqir i portretit që lidhet direkt me çlirimin e Kosovës. Por ende pa u inauguruar zyrtarisht, për veprën e realizuar nga skulptori Luan Mulliqi ka shpërthyer debati.

Sidomos në rrjetet sociale fotografitë e bustit janë shpërndarë me komente se figura e paraqitur nuk është reale dhe nuk shpërfaq ish-sekretaren Albright. Bile ka edhe njerëz të fushës që nuk pajtohen me mënyrën e realizimit të veprës. Krejt këto për autorin e saj janë reagime të një shijeje të realizmit socialist. Mulliqi, anëtar korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka thëne se qëllimi i tij ishte që skulptura të jetë moderne dhe të nxjerrë në pah psikologjinë e personazhit, figura e së cilës është derdhur në bronz.

Midis ovacioneve e thirrjeve “USA” pasditen e së mërkurës, vetë Albright e shoqëruar nga ish-presidenti i ShBA-së, Bill Clinton, e presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka zbuluar bustin. Ajo është dukur tejet e emocionuar në këtë ceremoni.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara