SPSPK kërkon nga kryeministri të nënshkruajë rritjen e pagës minimale

11:44 | 18 Maj 2018

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) ka mbajtur sot një  konferencë për media me temën “Gjendja e punëtorisë në sektorin privat në Kosovë”.

Me këtë rast Isuf Azemi tha se takimi më Kryeministrin e Kosovës para pak ditësh ishte zhgënjyes, raporton arbresh.info.

“Ne kemi kërkuar nga kryeministri që të zbatohet ligj i punës dhe në takim me të pyetja e tij ishte se a nuk po zbatohet, kjo ishte zhgënjyese kur ne në vazhdimësi i kemi raportu për shkeljet e punëtorëve në sektorin privat. E lusim Kryeministrin që të nënshkruajë pagën minimale për punëtorët, sepse edhe ata kanë familje dhe fëmijë edhe fëmijët e tyre duan të jetojnë të lumtur si fëmijët e tij. E lusim Kryeministrin mos të luaj me djersën e punëtorëve, sepse ai nuk ka bërë asnjë hap për të përmirësuar gjendjen e punëtorëve të sektorit privat. Kosova është vendi i fundit me pagën më të vogël minimale. Qëllimisht kryeministri po e vonon nënshkrimin e pagës minimale, pasi që në këtë rast do të ju ulet paga atyre të sektorit publik. Është tmerruese gjendja në sektorin privat”.

Ai tutje ka shtuar se kanë evidentuar disa kompani ku punëtorët punojnë pa kontrata pune dhe nuk kanë as kushte minimale për punë.

“Kompania Estemed, nuk kanë punëtorët kontrata pune dhe nuk paguajnë tatim për shtetin dhe këto kompani kanë një mbështetje nga dikush që është në qeveri apo politikë. Sindikata po e njofton opinionin se edhe kompanitë që mirëmbajnë objektet e sektorit publik nuk i respektojnë kontratat dhe ligjet e punës dhe kjo i bie se ata janë të kapur nga shteti. Në disa kompani punëtorët largohen nga puna pa asnjë arsye dhe në shumicën e tyre pronarët janë të lidhur më politikanet dhe punëtorët nuk mund pastaj të ankohen sepse nuk kanë guxim kjo ka qenë deklarata e disa punëtorëve të larguar nga disa kompani”.

Azemi tutje ka shtuar se sindikata e tyre ka një marrëveshje me Komunën e Prishtinës që të gjithë punëtorët në këtë komunë do të gëzojnë të drejtën e tyre të barabartë me punëtorët e sektorit publik. Ai tutje ka shtuar se në konferencën e ardhshme do t’i publikojnë edhe emrat e kompanive të cilat janë të kapura nga shteti. Ndërsa shtoi se nga janari i vitit 2018 e deri tash kanë vdekur katër punëtorë  në vendin e punës në sektorin privatë.

Kujtojmë se në vazhdimësi BSPK-ja , ka ngritur shqetësime për gjendjen e mjerueshme të punëtorëve e në veçanti të sektorit privat, por që deri tash nga Qeveria nuk është bërë asgjë për të përmirësuar gjendjen e punëtorëve të këtij sektori./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara