Borrelli: Duhet zbutje e tensioneve dhe nisje nga e para dialogut Kosovë-Serbi, e vetmja zgjidhje

23:59 | 14 Shkurt 2020

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi, është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

Përmes një shkrimi në Twitter, Borrell konsideron se, të dyja vendet duhet t’i ulin tensionet për të arritur rezultatet.

“Na duhet zbutje e tensioneve dhe nisje nga e para, përndryshe bisedimet nuk do të jenë të mundshme”, ka shkruar Borrell.

Më tej ka theksuar se është e nevojshme një perspektivë evropiane për tërë rajonin.

“Negociatat duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, gjithashtu duhet bërë përparim në rrugën evropiane”, ka thënë Borrell.

Ai ka folur edhe për procesin e zgjerimit të BE-së në të ardhmen, duke thënë se Bashkimi Evropian është detyruar të ndalet në mënyrë që të riorganizohet më mirë.

“Qëllimi i metodologjisë sonë të re është që tani ta bëjmë procesin më të besueshëm, më dinamik dhe më të parashikueshëm”, ka shkruar ai.

Ndërkaq, reagimi erdhi pas Konferencës së Sigurisë në Munih ku morën pjesë krerët e më shumë se 40 vendeve të botës, liderët e shumë institucioneve, ministra dhe ekspertë./Telegrafi/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara