Bie importi i fishekzjarrëve, mjekët kërkojnë që të ndalohet përdorimi për shkak të pandemisë

08:33 | 30 Nëntor 2020

Për shkak të pandemisë apo shkaqe të tjera importi i mjeteve piroteknike në Kosovë është dukshëm më i vogël në krahasim me vitet e kaluara.

Këtë vit do të importohen vetëm 40 tonë.

Kështu bëri të ditur për arbresh.info Destan Mustafa, shef i Divizionit për Armë dhe Eksploziv në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Po, kompanitë e licencuara për tregti me mjete piroteknike (Fishekzjarrë) janë pajisur me leje të importit të fishekzjarrëve për vitin 2020, me sasi të kufizuar të importit, gjithsejtë 40 ton, krahas viteve të kaluara, sasia është shumë më e vogël nga Kompanitë”, tha Mustafa.

E lejimi i tyre thuhet se do të fillojë që nga data 27 dhjetor deri më 2 janar.

“Nga data 27 dhjetor deri 2 janar është përdorimi i tyre”, tha Mustafa.

Ndër të tjerash ai përmendi edhe kontrabandimin që mund të ndodhë me këto mjete dhe se me këso raste janë përballur edhe më herët.

“Për çdo vit kemi raste ku njoftohemi nga Dogana dhe Policia e Kosovës për raste kontrabandimi të Fishekzjarrëve dhe gjithmonë ndodh konfiskimi i  tyre”, tha Mustafa.

Kurse, Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës në një përgjigje të shkurtër për arbresh.info tha se importimi i mjeteve piroteknike në Kosovë fillon që nga muaji dhjetor.

E pavarësisht se këto mjete janë lejuar edhe këtë vit që të dalin në treg, dikush nuk po pajtohet me këtë.

Është shefi i Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani i cili thotë se në këtë kohë të pandemisë do ishte mirë që këto mjete të ndaloheshin.

“Ne nuk dëshirojmë të përsëritet viti 2010, ku numri më i madh i të lënduarve të cilët kanë kërkuar shërbime, në atë vit është regjistruar numër enorm, por edhe me lëndime shumë serioze. Nga viti 2010 përmes policisë dhe shërbimeve emergjente nga 110 nga viti i kaluar kemi pasur 22 raste, mirëpo kryesisht kanë qenë me lëndime të lehta. Detyrimisht në kohën e pandemisë është mirë të ndalohen, por fishekzjarrët duhet t’i organizoj shteti, gjegjësisht komunat dhe është përgjegjësi e tyre, është çështje që mund të kontrollohet nga komunat”, tha Lenjani.

Kujtojmë se gjatë viteve të kaluara Kosova ka importuar rreth 100 ton mjete piroteknike./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara