Betohet gjenerata e 55-të e kadetëve të Policisë së Kosovës

16:13 | 30 Tetor 2020

Ka diplomuar gjenerata e 55-të e kadetëve policorë të Policisë së Kosovës. Bazuar në situatën aktuale të pandemisë COVID-19 nuk është mbajtur ceremonia e diplomimit. Diplomimi është bërë në grupe të vogla-klasa ,në hapësirat e Akademisë, organizuar nga Drejtoria për Trajnime Themelore-Divizioni i Trajnimeve i Policisë së Kosovës.

Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe u. d. drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti, i cili ka thënë se sot Policisë së Kosovës po i bashkëngjiten 426 policë të rinj që do të jetë ndihmesë e madhe për punën në terren dhe nga të njëjtit ka kërkuar angazhim shtesë sidomos në këtë kohë të pandemisë. “Duke marrë parasysh se PK-ja ka një imazh të mirë te qytetarët ju duhet të kontribuoni që akoma më shumë të ngrihet niveli i besueshmërisë te qytetarët. Policëve të rinj ju dëshiroj shëndet dhe suksese në detyrën e re në shërbim të qytetarëve”, tha ndër të tjera Mehmeti.

Me këtë rast 426 policët e rinj i pranuan certifikatat dhe dhanë betimin zyrtar se do të zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, se do ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, duke treguar profesionalizëm, përgjegjësi dhe ndershmëri në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Këtë trajnim së bashku me kadetët policorë e kanë përfunduar edhe 5 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga komponenta e Policisë Ushtarake. Gjithashtu janë ndarë mirënjohje për 14 kadetët policorë si kapitenë të klasave dhe 20 kadetëve policorë për rezultatet më të larta të arritura gjatë kohëzgjatjes së trajnimit.

Nga data 2 nëntor 2020 policët e rinj do të fillojnë të shërbejnë në kuadër të Policisë së Kosovës, duke vazhduar me pjesën e programit të trajnimit fushor për policët e rinj në stacione policore në kohëzgjatje prej dy (2) vjet nën mbikëqyrje të instruktorëve praktikë/fushorë të Policisë së Kosovës./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara