BERZH shpall tender për ta ndihmuar privatizimin e Telekomit

11:57 | 8 Prill 2019

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) i është përgjigjur pozitivisht një kërkesë të Qeverisë së Kosovës, për ta ndihmuar këtë të fundit në procesin e privatizimit të Telekomit të Kosovës.

Përmes një thirrje publike, BERZH njofton se e mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për privatizimin e Telekomit, dhe se do ta ofrojë asistencën e saj deri në privatizim.

Fillimisht, BERZH ka inicuar procedurat për gjetjen e një kompanie konsulente që do të ofrojë ekspertizën e saj, përcjell Buletini Ekonomik.

“Qeveria ka kërkuar nga BERZH që të jetë si këshilltar i jashtëm për të këshilluar Qeverinë dhe për të hartuar një proces për privatizimin e Telekomit të Kosovës bazuar në një gamë të gjerë të përvojës ndërkombëtare. BERZH ka rënë dakord të financojë një konsulencë të tillë”, thuhet në komunikatën e publikuar nga BERZH me datën 3 prill 2019.

Tenderi i shpallur nga BERZH ka një vlerë prej 70 mijë euro. Ndërsa kompania konsulente që do të përzgjidhet pritet t’i ofojë këshilla për një proces të përgjithshëm privatizimi për Telekomin e Kosovës duke përfshirë: metodat e privatizimit, kornizën më të gjerë ligjore dhe institucionale, si dhe kohën e vetë procesit të privatizimit.

E gjithë procedura e ristrukturimit pritet të zgjasë deri në fund të këtij viti.

Ndërkohë, sipas asaj që kishte thënë më herët për media ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, BERZh përvec që ka shprehur gatishmërinë për të ofruar asistencë teknike në fazën e ristrukturimit, po ashtu edhe ofrimin e një kredie deri në 25 milionë euro si dhe hartimin e një dokumenti mbi hapat që duhet të ndjekë Qeveria e Kosovës për privatizimin e kësaj ndërmarrje. Ky dokument ndër të tjera bazohet në principet si në vijim: vlerësimin e drejtë të secilës ofertë për privatizim të Telekomit, përkushtim dhe transparencë në këtë proces, inkurajim të konkurrencës si dhe rishikim të proceseve dhe strukturave brenda Telekomit të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara