Basha: Kosova ka ditur gjithmonë t’i tejkalojë sfidat, një Shqipëri e fortë e me diplomaci dinamike do ta ndihmonte shumë

11:06 | 8 Korrik 2020

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Shqipëri.

Basha ka folur edhe për marrëveshjen finale që pritet të arrihet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se një Shqipëri e fortë, me diplomaci dinamike dhe në koordinim me Qeverinë e Kosovës dhe të gjithë faktorin politik, do të mund të jepte një ndihmë të konsiderueshme.

Por, Basha tha se Kosova nuk ka nevojë që askush të flasë në emër të saj dhe se nuk ka nevojë as për folklorizma pseudo – patriotike dhe as për të sulmuar në emër të saj BE-në apo vende anëtare të saj.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në këtë intervistë për Telegrafi.com ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Shqipëri, Gjykatën Speciale etj, bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, për qeverisjen nga kryeministri Edi Rama si dhe menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Basha e ka përshkruar situatën politike në Shqipëri sot të udhëhequr nga kryeministri Rama si situatë me kriminalizim, vjedhje e mashtrim.

Telegrafi: Si e vlerësoni situatën politike në Kosovë, sidomos pas ngritjes së aktakuzave ndaj z. Thaçi dhe z. Veseli nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale?

Basha: Kosova ka ditur gjithmonë të përballojë ballëlart momente të vështira në historinë e saj. Ky nuk është një moment i lehtë, duke pasur parasysh zhvillimet që e presin Kosovën, si përsa i përket negociatave me Serbinë, kur ka një angazhim si asnjëherë më parë të faktorit ndërkombëtar, po ashtu edhe situatës shëndetësore dhe ekonomike, të shkaktuar nga Covid 19. Por, unë kam shumë besim se edhe kësaj here, Kosova do t’ia dalë me sukses ta tejkalojë këtë moment. Një gjë është e qartë si drita e diellit, luftën e UÇK-së, sakrificën sublime për liri të bijve dhe bijave të Kosovës, nuk mund ta përbaltë askush. Ajo ishte një luftë e drejtë dhe shumë e pabarabartë. Por, me ndihmën e miqve dhe aleatëve, Kosova ia doli të çlirohet dhe të jetë sot një shtet i pavarur, që po i konsolidon çdo ditë e më shumë pozitat e saj në arenën ndërkombëtare. Natyrisht, kjo është një tjetër provë se rruga nuk është e lehtë, ka vështirësi dhe të papritura, por në fund e drejta do të triumfojë. Pa asnjë diskutim lufta e UÇK-së ishte dhe do të konfirmohet sërish nga drejtësia ndërkombëtare si luftë e drejtë dhe pastër, se luftëtarët e UÇK-së luftuan për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, spastrimi etnik dhe gjenocidi.

Telegrafi: Si e shihni vazhdimin e dialogut Kosovë- Serbi dhe si e shihni zgjidhjen?

Basha: Faktori ndërkombëtar sot ka një angazhim të madh për të gjetur zgjidhje. Uashingtoni, Berlini, Parisi e Brukseli e kanë shtuar vëmendjen për gjetjen e zgjidhjes. Kosova ka Kushtetutën e saj, brenda së cilës duhet vepruar. Ndërkaq, një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë do t’i jepte mundësi për të shfrytëzuar potencialin ekonomik që ka i gjithë rajoni për prosperitet ekonomik dhe punësim. Ajo do t’u shërbente shqiptarëve dhe serbëve për të nisur një epokë të re bashkëpunimi, duke u fokusuar tek e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve të tyre. Thënë kjo, kushdo duhet ta ketë të qartë njëherë e mire, se realiteti i Kosovës është i pakthyeshëm dhe tërësia e saj territoriale është e pacenueshme. Marrëveshja Kosovë-Serbi, natyrshëm, afekton edhe vendet e tjera të rajonit tonë, ndaj zgjidhja nuk mund, assesi, të rrezikojë rikthimin e krizave ballkanike.

Telegrafi: Çfarë mund të jetë ndihma e shtetit shqiptar në këtë marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë?

Basha: Të njëjtën ndihmë që ka dhënë në shpalljen e Pavarësisë dhe njohjen e saj ndërkombëtare. Kosova nuk ka nevojë që askush të flasë në emër të saj, nuk ka nevojë as për folklorizma pseudo – patriotike dhe as për të sulmuar në emër të saj BE apo vende anëtare të saj. Një Shqipëri e fortë, me diplomaci dinamike dhe në koordinim me Qeverinë e Kosovës dhe të gjithë faktorin politik atje, do të mund të jepte një ndihmë të konsiderueshme.

Telegrafi: A ka më shumë bashkëpunim apo më shumë barriera mes Kosovës dhe Shqipërisë?

Basha: Ka shumë fjalë dhe zhurmë dhe fare pak vepra. Më shumë kemi parë shou se bashkëpunim konkret mes dy shteteve. Bashkëpunimi aktiv ka nevojë për vendosjen e disa prioriteteve të qarta, konkrete dhe me afate të sakta zbatueshmërie. Mbaj mend që në vitin 2005 ne diskutuam gjerësisht se çfarë duhet të bënim për këtë bashkëpunim. Kosova nuk ka dalje në det, por ka shumë aspekte të tjera ekonomike, për të cilat Shqipëria dhe Kosova kanë të njëjtin interes. Dhe ne menjëherë nisëm punën për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës, “Rrugën e Kombit”. Nuk ka qenë aspak e lehtë, madje ishte mjaft e vështirë. Fonde nuk kishim, sapo PD kishte marrë detyrën për drejtimin e vendit; për më tepër faktorë të ndryshëm gjeopolitikë ishin kundër saj. Për të mos përmendur më shumë, këta politikanë që sot bëjnë si “baballarë të kombit” e sulmuan egër atë rrugë, duke e quajtur të panevojshme; e më pas hodhën baltë pafund, por këto i përkasin të shkuarës. Unë sot jam i lumtur që kjo rrugë është ndërtuar, ndërsa taksën që e vendosën pa të drejtë ne do ta heqim që ditën e parë që do të marrim drejtimin e vendit. Unë dhe ekipi im kemi gati disa projekte te tjera konkrete që do të ndihmonin shtimin e zhvillimit ekonomik Shqipëri-Kosovë, me impakt pozitiv në të gjithë rajonin.

Telegrafi: Çfarë mund të bëjnë më shumë dy shtetet dhe institucionet përkatëse?

Basha: Sot kemi më shumë mbledhje dhe ceremoni, sesa zhvillime konkrete me impakt në jetën e banorëve të të dy shteteve tona. Një marrëveshje në letër nuk i shërben askujt. Ne duhet t’i shfrytëzojmë potencialet e të dy vendeve me një qëllim të përbashkët: zhvillimin ekonomik dhe punësimin. Siç ju thashë më sipër, ne kemi gati projekte konkrete që po i diskutojmë që tani me autoritetet e Kosovës dhe do te jemi gati me zbatimin sapo Partia Demokratike të jetë në drejtimin e vendit.

Telegrafi: Të kalojmë pak në Shqipëri, cila është gjendja politike në vend?

Basha: Vendi ndodhet në një krizë të thellë ekonomike dhe politike. Ndryshe nga Kosova, Shqipëria ka probleme të thella dhe serioze me votën e lirë. Pas zgjedhjeve të 2013-ës vendi u përball me përfshirjen e kriminelëve në Parlament dhe në qeverisje. Vetëm falë insistimit të opozitës, miratuam Ligjin e Dekriminalizimit, që nxori jashtë institucioneve shtetërore mbi 350 persona.

Por, ka ende shumë të tjerë, të cilët për shkak të kapjes së të gjitha pushteteve nga qeveria, po i rezistojnë procesit, por s’do munden dot të rezistojnë dhe për shumë kohë. Krimi ka ndërhyrë dhunshëm edhe në proceset tona zgjedhore. Në bashkëpunim me politikanët, ata kanë blerë dhe kërcënuar për votën, e më pas, për këtë shërbim ata janë shpërblyer me poste, tenderë, koncesione, prona, leje ndërtimi etj.

Garantimi i votës së lirë është beteja kryesore. Duhet bërë drejtësi për shitblerjen e votës. Kemi dy dosje të njohura si Dibra dhe Durrësi, me numrat 184 dhe 339, me të cilat po luhet ping-pong, nga njëra gjykatë në tjetrën, sepse Edi Rama nuk lejon që ato të hetohen. Kemi 7 vjet betejë pas beteje me krimin dhe me korrupsionin. E nisën me krimin në qeverisje dhe e mbyllën me krimin që blen e kërcënon për vota. Sot ky është edhe një kusht për integrimin e vendit. Kemi 7 vjet që bëjmë betejë kundër pastrimit të parave, korrupsionit, abuzimit me tenderë e koncesione. Dhe ja ku jemi sot. Paratë i kanë marrë 5 oligarkë, ndërsa shqiptarët u lanë pa asnjë mbështetje në kulmin e krizës së pandemisë. Po presim miratimin në Parlament të Reformës Zgjedhore, në mënyrë që të nisë sa më parë puna për implementimin e saj. Jemi të vetëdijshëm se, pa vullnet politik, asnjë ligj nuk e siguron dot votën e lirë. Por me bashkimin më të madh të shqiptarëve ne do t’ia dalim të mposhtim çdo skenar manipulimi dhe shitblerje votash. Kjo është situata deri tani. Se çfarë do të ndodhë në ditët dhe javët në vijim duhet të shohim. Edi Rama ka treguar se është gati të bëjë gjithçka për pushtet, siç bëri kur futi në Parlament dhe bëri kryebashkiakë trafikantët, vrasësit e përdhunuesit. Por, koston kësaj here do ta mbajë personalisht dhe në kulmin e krizës që po kalojnë shqiptarët, do të jetë tragjike, nëse nuk reflekton.

Telegrafi: Si po menaxhohet kriza me pandeminë COVID-19, nga institucionet shtetërore? Çfarë është gjendja me ekonominë dhe turizmin shqiptar në kohë pandemie dhe si është menaxhuar kjo?

Basha: Situata po përkeqësohet me shpejtësi, sepse në fakt nuk ka asnjë strategji, asnjë plan dhe asnjë masë; ka si gjithnjë vetëm propagandë. Duket se qeveria është dorëzuar tashmë dhe e ka lënë në rënie të lirë situatën, duke rrezikuar jetën e shqiptarëve. Pas një mbyllje 2 mujore, qeveria nuk mori asnjë masë dhe nuk pati asnjë strategji dalëse. Qytetarët dolën nga izolimi të rrënuar ekonomikisht dhe po përballen me virusin që po përhapet me shpejtësi. Jemi vendi me numrin më të ulët të testimeve. Qeveria mendoi se ia hodhi duke fshehur numrin e personave që humbasin jetën nga Covid. Shumë njerëz me simptoma jo vetëm nuk testohen, por edhe as këshillohen se me çfarë mund të trajtohen. Çfarë strategjie po ndiqet? Si do të luftohet virusi? Çfarë do të ndodhë pas dy javësh, pas një muaji apo në vjeshtë? Asgjë. I kam ofruar propozime qeverisë që para hapjes, një strategji dalëse, por ajo e refuzoi. Sot shtimi i rasteve e ka izoluar vendin. Kufijtë e BE-së mbetën të mbyllur, çka ka sjellë rrënim të turizmit. Operatorët turistikë kanë nisur planet e mbylljes së aktiviteteve dhe kjo është veçanërisht shumë e rëndë, pasi do të thotë qindra mijëra familje pa asnjë të ardhur. Fuqia blerëse ka rënë, papunësia është rritur dhe nuk ka asnjë plan, asnjë masë për ta menaxhuar situatën. Pra, vendi ndodhet tani në dy kriza shëndetësore dhe ekonomike

Telegrafi: Si e vlerësoni qeverisjen e kryeministrit Edi Rama?

Basha: Do ta them me tre fjalë: Kriminalizim – Vjedhje – Mashtrim.

Telegrafi: Cili është roli juaj si lider i Partisë Demokratike për zhvillimet politike në Shqipëri?

Basha: Në këto 7 vjet në opozitë në Shqipëri, kemi propozuar zgjidhje, kemi ofruar alternativa, kemi denoncuar me fakte të pakundërshtueshme dhe sot është vërtetuar se çdo denoncim i PD-së ka rezultuar i vërtetë; kemi bërë beteja të shumta për dekriminalizimin, ekonominë, kundër korrupsionit, për votën e lirë etj. Natyrisht, nuk ka qenë e lehtë, ka patur dhe kosto. Kur nisëm betejën kundër kanabisit, edhe shumë prej njerëzve tanë na kundërshtuan “pasi kështu humbasim vota”. Por, për mua dhe PD nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë vlerë një pushtet i ndërtuar mbi drogën, mbi krimin, sepse kjo do të thotë që t’ia dorëzosh shtetin kriminelëve dhe ta shndërrosh vendin në arenë përballjesh mes bandave kriminale për kontrolle territoresh, siç ndodhi këto 7 vjet, ku Shqipëria bazohet tek emrat e trafikantëve që bëjnë ligjin.

Kemi propozuar amendamente që i japin frymëmarrje ekonomisë, kemi propozuar zgjidhje për përballimin e pasojave të tërmetit dhe për menaxhimin e pandemisë. Shumëkush, madje edhe bashkëpunëtorë të mi më thanë: “Mos i trego rrugën, lëre të dështojë”. Por, kurrë nuk e kam parë në këtë mënyrë angazhimin tim në politikë.

Për mua gjëja më rëndësishme është jeta, shëndeti dhe ekonomia e shqiptarëve. Këtë e kam dëshmuar çdo ditë të karrierës time në politikë. Sot jemi duke përfunduar hartimin e planit tonë të daljes nga kriza dhe zhvillimin dinamiko-ekonomik. Kemi përfunduar platformën antikorrupsion. Jam duke diskutuar me përfaqësues të dhomave të tregtisë, përfaqësues të biznesit, ekspertë të njohur vendas dhe të huaj për të gjetur zgjidhjet, nëpërmjet kostove, me qëllim që ato të jenë të realizueshme. Shqiptarët janë lodhur nga fjalët e bukura dhe luga bosh. Ata duan normalitet, duan masa të vlefshme dhe efikase për ta, pra që janë të realizueshme. Natyrisht, jam i shqetësuar për situatën që po përkeqësohet ditë pas dite, për borxhin që po rritet, për paratë që planifikojnë të vidhen me PPP-të e radhës, ndërsa qytetarët e mbetur jashtë nga tërmeti janë në mëshirë të fatit. Bizneset po mbyllen, fermerët po hedhin prodhimet e tyre, papunësia dhe pamundësia po rriten. Prandaj ekspertët tanë po punojnë duke kalkuluar çdo zhvillim. Ne do ta kthejmë programin tonë në realitet dhe, përmes bashkimit më të madh të shqiptarëve, do t’u japim atyre zgjidhjen që presin.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara