Bajrami: Politika nuk do të ndërhyjë asnjëherë në punën e universiteteve

13:09 | 13 Shkurt 2020

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, mori pjesë në konferencën: “Universiteti, politika dhe vlerat themelore të arsimit të lartë”, të organizuar nga Konferenca e Rektorëve, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 50 vjetorit të Universitet të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Në këtë konferencë ishte i pranishëm kryeministri i Kosovës Albin Kurti, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova dhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë diplomatikë.

Ministrja Bajrami përgëzoi UP-në për 50 vjetorin e themelimit, ndërsa përmendi kontributin e profesorëve dhe studentëve për ngritjen dhe fuqizimin e UP-së. “Mirënjohja për ata duhet të shpërblehet me punën e ndershme që e kemi obligim secili prej nesh”, tha Ministrja dhe më pas theksoi rolin e Universitetit në të gjitha zhvillimet në Kosovë përgjatë pesë dekadave të fundit, ndërsa tha se sot Universiteti i Prishtinës dhe të gjitha universitetet publike e private duhet t’iu përgjigjen kërkesave të së sotmes.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministrja Bajrami siguroi rektorët se politika nuk do të ndërhyjë asnjëherë në punën e universiteteve, siç ka ndodhur në të kaluarën. “Ju siguroj se do të përkujdesemi që të vëmë bazat me ligj, që politika të mbajë duart larg nga universiteti”, tha ajo, ndërsa theksoi se arsimi do të jetë prioritet i Qeverisë edhe nga ana buxhetore dhe nga aspekti i qeverisjes transparente dhe të përgjegjshme.

Ministrja Bajrami, shpalosi edhe programin e Qeverisë së Kosovës për arsimin e lartë, ku ndër të tjera, theksoi se do të rishikohet Ligji për Arsimin e Lartë, do të rithemelohet Këshilli Kombëtar i Shkencës dhe krahas kësaj do të themelohet dhe fuqizohet Fondi Kombëtar i Shkencës, e po ashtu edhe Fondi i Ekselencës.

Duke qenë se tashmë Ministrisë i është bashkëngjitur edhe Inovacioni, ministrja Bajrami theksoi se, do të punohet bashkë me UP-në dhe universitetet tjera për ta fuqizuar inovacionin në vendin tonë, sepse, siç u shpreh ajo, në këtë mënyrë përmbushet objektivi ynë që idetë inovative, hulumtimet shkencore, të vihen në funksion të zhvillimit të gjithëmbarshëm të Republikës së Kosovës./arbresh.info/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara